19:38 / E Premte, 01 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Limaj nis turin e falënderimit në Prizren, thotë se qytetarët i qëndruan afër kur i bëhej padrejtësi

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj pas triumfit dhe shpalljes se pafajësinë në rastin MTPT ka nisur një tur falënderimi anekënd vendit. Në ditën e parë të këtij turi ai ka vizituar Prizrenin.
Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka falënderuar qytetarët e Prizrenit që i kanë qëndruar afër në ditët më të vështira. Ka thënë se rreshtimi pas tij dhe Nismës i kanë dhënë forcë për të ecur përpara.

“Jemi këtu duke iu falënderuar këtij besimi. I besuat fjalës time dhe ja ku jemi sot. Gjithë jetën jam munduar t’i shërbej me krenari e pasion vendit, duke respektuar ligjin. U deshën 8 vite të konfirmohet ajo që është bërë e ditur. Para tetë viteve njerëzit e ligë e ndalën punën tonë. Ata u munduan të na largojnë nga puna dhe të na heqin si pengesë siç na kanë parë, por ne nuk u ndalëm dhe vazhduam e punuam për të ardhur ku jemi sot”, ka thënë Limaj gjatë një vizitë në Prizren.
Tutje, Limaj ka folur edhe për këshilltarin e tij, Endrit Shala.

“Dua t’i them edhe disa fjalë për një bashkëpunëtor timin. Kemi punuar bashkë dhe kemi qëndruar afër në të gjitha betejat në këtë 10 vjeçar. Ne javën e kaluar shënuam një fitore të përbashkët. E kam fjalën për Endrit Shalën, një djalë anëtar i kryesisë, i cili duke qenë afër meje ka paguar çmim dhe duke qenë afër meje është bërë pengesë për të tjerët. Atë e presin detyra dhe përgjegjësi të reja”, ka theksuar Limaj.
Limaj ka folur edhe për zgjedhjet e fundit në Prizren duke shtuar se kjo parti ka qenë përcaktuese e ndryshimit të qeverisjes lokale.
E nga ana e tij, kryetari i degës se Nismës në Prizren, Zafir Berisha ka thënë se rreshtimi pas Fatmir Limës është një sinjal i qartë se Limaj në rrugëtimin e tij për çlirimin dhe për ndërtimin e Kosovës ka punuar në rrugën e Zotit dhe të ligjit dhe kjo tashmë është dëshmuar.
“Nisma në krye me Limajn është force e respektuar politike si në nivel qendror ashtu edhe në lokal. E uroj Limajn për fitoren në përballjen e tij me padrejtësinë”, ka thënë Berisha.