Limaj përkrah Mustafën, i thotë se do ta mbështesin në rrëzimin e Qeverisë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se do ta mbështes kryetarin e LDK-së në nismën e kësaj partie, për të rrëzuar Qeverinë e Albin Kurtit, raporton IndeksOnline.
Ai pas takimit me Mustafën, ka thënë se do te ndjekin të gjitha procedurat ligjore që ky mocion të konkretizohet.
“Patëm një takim me Isa Mustafën biseduam për zhvillimet e fundit është përcjell mocionin i mosbesimit, do të marrim pjesë në këtë mocion dhe do të votojmë për rrëzimin e Qeverisë.Ishte konkludim i përbashkët që do të bëhet shumë shpejtë dhe besoj që shumë shpejtë do të jetë në Parlamentin e Kosovës pasi të kryhen procedurat për nënshkrime dhe kërkesa për seancë”, tha Limaj.
Limaj tutje ka thënë se tashmë vendimi politik është marrë dhe se shumë shpejtë do të vendoset për kapërcimin e kësaj situate.
“Nuk është mocioni i parë, k’tu tek ne shpesh janë rrëzuar qeveritë, brenda 48 orëve dorëzohen zakonisht dhe kështu do të duhej të përfundonte kjo çështje. Vendimi politik është marrë dhe duhet të vendoset edhe në Parlamentin e Kosovës shumë shpejtë”, ka theksuar Limaj.