75 Mall Live Search
20:24 / E Enjte, 07 Gusht 2025 / Burim

Limaj reagon për protestën: Kosova kërkon drejtësi, jo më shumë se të vërtetën dhe barazinë para ligjit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar në lidhje me protestën e thirrur nga organizatat e dala nga lufta, kundër padrejtësive që po ndodhin ndaj pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Limaj shkruan se Kosova nuk kërkon më shumë se të vërtetën dhe barazinë para ligjit, duke shprehur zhgënjimin ndaj mungesës së veprimit nga Parlamenti i Kosovës.

“Fatkeqësisht, Parlamenti nuk e ka kryer detyrën e vet për monitorimin e zbatimit të ligjit për Gjykatën Speciale”, ka shkruar Limaj, përcjell IndeksOnline.

Postimi i plotë:

Kosova kërkon drejtësi dhe nuk kerkojne asgje me shumë se të vërtetën dhe barazi para ligjit!

Fatkeqësisht, Parlamenti nuk e ka kryer detyrën e vet për monitorimin e zbatimit të ligjit për Gjykatën Speciale. Para pesë vitesh, u kam propozuar grupeve parlamentare që Parlamenti i Kosovës të shfrytëzojë mundësinë për të kontaktuar institute të pavarura dhe të specializuara, të cilat ofrojnë monitorim profesional.

Këto institute, të njohura në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, kanë përvojë të jashtëzakonshme në raste të ngjashme që janë monitoruar më parë në Hagë. Një institut i monitoruar nga Parlamenti do ta kishte rritur besueshmërinë dhe transparencën e punës së Gjykatës dhe do të ndihmonte në parandalimin e shkeljeve të të drejtave të të akuzuarve atje.

Si atëherë, ashtu edhe sot, besoj se kjo ka qenë dhe mbetet rruga e vetme përmes së cilës një shtet serioz angazhohet me përgjegjësi në mbrojtjen e të drejtave të veta, të cilat rrezikojnë të përmbyten.

Liri për çlirimtarët – Lavdi UÇK-së!