75 Mall Live Search
11:10 / E Premte, 15 Janar 2021 / OSH

Limaj: Reçaku vazhdon të jetë fytyra e turpit të Serbisë

Kryetari i Nismas, Fatmir Limaj, ka bërë homazhe sot në Reçak, për të përkujtuar masakrën që ndodhi me 15 janar, të vitit 1999, raporton Ekonomia Online.

Limaj tha se Reçaku është dëshmia e terrorit serb. Ai ka thënë se 15 janari i vitit 1999 është një kthesë e madhe. Limaj shtoi se kjo ngjarje është fytyra e vërtetë e turpit të Serbisë.

“Si çdo vit në janar vijmë për të nderuar dhe përkujtuar shumë burra djem të rinj e gra të cilët janë dëshmia e terrorit serb, i cili nuk kurseu askënd për të arritur objektivat e veta kriminale. Janari në Reçak është një kthesë e madhe. Këta burra që vijmë i nderojmë e ka objektivin për t’i përkujtuar se lirinë të cilët e gëzojmë është shumë me gjak e sakrificë. Lavdi secilit dëshmor që ka dhënë jetën për Kosovën. Reçaku vazhdon të jetë fytyra e turpit të Serbisë, njolla e cila përcjell në ballin e Serbisë dhe derisa në Beograd vazhdon të mohohet gjenocidi është sinjal i mjaftueshëm për botën për të treguar se në Serbi ata të cilët kanë masakruar vazhdojnë ta drejtojnë vendin e tyre. Ftoj gjeneratën e re të mos harrojë atë që ka ndodhur në Reçak”, tha Limaj.

Më 15 janar 1999, në Reçak forcat serbe vranë e masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.