75 Mall Live Search
22:56 / E Premte, 31 Tetor 2025 / F.R

Limaj: Takimi i sotëm ishte obligim kushtetues, Osmani e ka të qartë që s’ka shumicë për qeverinë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se shkuarja në takimin e sotëm me presidenten Vjosa Osmani është “obligim kushtetues”.

Ai ka theksuar se sot duhej të ishte i pranishëm për të shmangur çdo devijim apo keqpërdorim të situatës.

“Shkuarja e sotme është obligim kushtetues, që të ketë transkript e të jetë e shënuar, në mënyrë që të mos ketë mundësi për keqpërdorim, për të deklaruar qëndrimin e partive opozitare. Në transkript edhe ajo e kryen një detyrë kushtetuese, edhe ne. Prezenca e sotme aty ka qenë detyrim kushtetues, për të mos lënë asnjë hapësirë për devijim ose keqpërdorim të situatave”, ka thënë ai.

Limaj ka treguar se gjatë takimit i është drejtuar presidentes Osmani duke i thënë se “kurrë më lehtë s’e ke pas këtë punë”, pasi partitë e mëdha kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Pas deklarimit të dy partive të mëdha, tri në fakt, që nuk kanë shumicë dhe kërkojnë të shkohet drejt zgjedhjeve, nuk kanë mandatar dhe nuk kanë ofruar mandatar, unë i kam thënë presidentes: ‘Kurrë më lehtë s’e ke pas këtë punë’. Nuk ke nevojë ta presësh këtë çështje, tanimë e keni të deklaruar publikisht që nuk ka mundësi të ketë mandatar të dytë dhe nuk ka përpjekje për një të tillë.”

“Po të donin këta njerëz, mund ta ndërtonin një qeveri kalimtare sot. Por po shihet që s’ka vullnet politik. Pastaj, nga kryetari i VV-së na është kërkuar që për dy ditë të kemi një konsultim. Mandatin presidentja nuk mund ta japë nëse nuk ka demonstrim të shumicës. Presidentja e ka të qartë, shumë të qartë, që shumicë për të ndërtuar qeverinë nuk ka në këtë përbërje të parlamentit”, ka deklaruar Limaj në T7.