20:48 / E Martë, 16 Prill 2019 / indeksADMonline

Limaj takon anëtarët e Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka pritur në takim në qytetin e Prizrenit anëtarët e Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku”.

Me këtë rast, Limaj tha se është emocion i veçantë për të takimi me bashkëluftëtaret e tij në 20-vjetorin e operacionit “Shigjeta”.

“Besoj që asnjëri nga ne para 20 viteve nuk e ka menduar që do të takohemi kështu 20 vite pas. Ju përshëndes secilin veç e veç prej drejtuesve të Batalionit dhe ju uroj qëndrim të këndshëm në vendlindje”, ka thënë Limaj.

Limaj i cili në luftë mbante nofkën “Çeliku”, tha se është kënaqësi që shqiptarët tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përcjelle traditën shekullore duke i dhënë zë kombit e duke punuar për kombin.

“Ne kemi bërë një detyre që kemi pas obligim ndaj shtetit, por krejt e dinë që pa një kontribut të diasporës kurrë nuk kishim ardhur këtu ku jemi sot. Ndihem krenar që kam qenë pjesë e juaja”, ka shtuar Limaj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës u ka ndarë nga një mirënjohje secilit pjesëtar të Batalionit “Atlantiku”, dhe asamblistit të Neë Yorkut, Mark Gjonaj, në emër të Brigadës 121, Ismet Jashari- Kumanova.

Përfaqësuesi i Batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu tha se rrugëtimi i Atlantikut para 20 vitesh ishte një sfide jo e lehte dhe diçka e paparashikuar.

“Ne u bëme bashkë në luftë dhe qëllimi ishte i përbashkët i njëjte, ai ishte liria dhe pavarësia. Ajo u arrite më shumë mund e sakrificë. Pas 20 vitesh e morëm këtë rrugëtim ta kujtojmë të kaluarën tone me qëllimin e vetëm të respektojmë ata që dhanë më së shumti atë që gëzojmë sot”, tha Shehu.

Gjatë ditës presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekoruar Batalionin shqiptaro-amerikan “Atlantiku”.

Në nderim të kontributit dhe sakrificës së batalionit “Atlantiku”, Kosova është mbushur me flamuj kombëtar.