14:49 / E Martë, 08 Maj 2018 / indeksADMonline

Limaj: Tryezat politike të dalin me gjëra konkrete

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj beson që tryezat e përbashkëta politike dhe një konsensus i gjerë garanton transparencë, besueshmëri në proces dhe kredibilitet, të cilat edhe kanë munguar më parë.

Këtë, Limaj e tha pas tryezës politike të thirrur nga Partia Demokratike  e Kosovës, ku edhe morën pjesë të gjitha grupet parlamentare, përveç Vetëvendosjes.

“Është një sinjal shumë i mirë. Një lajm shumë i mirë për vendin për vet faktin se kanë filluar tryezat e partive politike. Ne shprehem vullnetin që të vazhdojmë edhe më tutje me këto takime, pra ta bëjmë me rotacion thirrjen e tyre. Sot kemi biseduar për temat të cilat kanë nevojë për konsensus të gjerë”, ka thënë Limaj.

Ai më tej ka sugjeruar që kjo tryezë e përbashkët të dal me gjera konkrete.

“Tryeza duhet të dal me gjëra konkrete. Nuk ka mundësi që të dalim me 7-8 tema menjëherë. Të përcaktojmë cilat janë temat nacionale e pastaj t’i shkojmë secilës temë veç e veç për të prodhuar dhe ndërtuar konsensus. Është një vullnet i plotë i të gjitha partive politike që të ecët përpara. Takimet e tilla dhe konsensusi i gjerë garanton transparencë besueshmëri në proces , kredibilitet të cilat i kanë munguar më parë. Shpresojmë që pas kësaj të dalim edhe me një deklaratë të përbashkët. Kjo tryezë është e vetmja rrugëdalje, pra nuk ka tjetër alternativë, pasi dialogu me Serbinë nuk mund të bëhet ndryshe”, ka shtuar më tej ai./Indeksonline/