75 Mall Live Search
13:44 / E Hënë, 14 Dhjetor 2020 / k.v

Limaj uron qytetarët në dyvjetorin e Ushtrisë së Kosovës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka uruar qytetarët në dyvjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Dy vjet më parë për Kosovën nisi një kapitull i ri në funksion të konsolidimi edhe më tej të shtetit të Kosovës. Përpjekjet shekullore të brezave u kurorëzuan, më 14 dhjetor 2018, në Kuvendin e Kosovës, ku u bë transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, si një hap i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e vendit dhe rajonit”, ka shkruar Limaj në faqen zyrtare të Nismës në Facebook.

Kreu i Nismës, po ashtu ka thënë se, në këtë ditë të veçantë, përkulemi para meritorëve më të mëdhenj, që janë gjithë dëshmorët e kombit, si edhe u jemi mirënjohës e falënderues aleatëve tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e vazhdueshme për shtetin e Kosovës. “Urime Dita e Ushtrisë, Kosovë!”, ka shkruar Limaj.