75 Mall Live Search
22:00 / E Martë, 11 Nëntor 2025 / B XH

Limaj: Zgjedhjet lokale një test për partitë politike, situata në Mitrovicë kërkon hetim të organeve zyrtare

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka folur në emisionin “Këndi i Debatit” të Tëvë1 për zgjedhjet lokale të përmbyllura më 9 nëntor dhe situatën e dyshimeve për manipulim të votave në Mitrovicë.

Sipas tij, procesi zgjedhor ka qenë i rëndësishëm dhe rezultatet duhet të studiohen nga të gjitha partitë.

“Është një proces shumë i rëndësishëm për demokracinë dhe një përmbyllje e rëndësishme e këtyre dy fazave në balotazh. Besoj që edhe procesi lokal, edhe zgjedhor ka dhënë disa sinjale për partitë politike, pushteti dhe opozitës. Këto rezultate duhet të lexohen mirë. Për mua, rezultatet janë të pritura, edhe pse ka disa telashe që po i shohim rrugës,” ka thënë Limaj.

Ai ka komentuar edhe dyshimet për manipulim të votave në Mitrovicë, duke theksuar nevojën për hetim nga institucionet kompetente.

“Unë e rezervoj veten për të dhënë diçka pasi këtu është një trup i pavarur, një trup shtetëror siç është KQZ-ja. Janë organet shtetërore që janë të përfshira aty dhe duhet të presim hetimin ose përfundimin e organeve zyrtare. Nuk kam informacione të mjaftueshme dhe nuk do të flas për gjëra që nuk duhet të fliten. Duhet të besojmë te institucionet tona,” ka shtuar Limaj.

Ai ka përmendur edhe mbikëqyrjen e partive përfaqësuese në KQZ:

“Partitë që kanë telashe aty janë të përfaqësuara në KQZ, secila ka përfaqësuesit e vet. Ata e kanë mbikëqyrur procesin që nga fillimi, nga shtypja e fletëvotimeve. KQZ-ja është organ 4-vjeçar dhe besoj se për asnjë çmim nuk duhet të sulmojmë një proces për të cilin kemi punuar shumë për të arritur besueshmërinë dhe standardin kaq të lartë,” ka theksuar Limaj.