Limaj zotohet se tema e të pagjeturve do të jenë nga temat kryesore në dialog
Bashkëkryesuesi i Delegacionit Kosovar për Bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, ka folur pas miratimit të platformës nga Delegacioni Shtetëror.
Limaj ka bërë me dije se një nga temat kryesore në dialogun e mundshëm Kosovë- Serbi do të jenë të pagjeturit.
Limaj thotë se Serbia në asnjë rast nuk e ka trajtuar seriozisht çështjen e të pagjeturve.
“Ne besojmë dhe kem informacione se Serbia i ka në arkivat shtetërore dosje të cilat tregojnë fatin e të gjithë njerëzve tanë për të cilët nuk dihet asgjë që 20 vite dhe kjo do të gjejë vend në marrëveshjen finale”, ka thënë Limaj në një intervistë për televizionin publik.
Zëvendëskryeministri ka bërë me dije se temë tjetër do të jenë krimet e serbeve të kryera në Kosovë. Ai ka thënë se do të kërkojnë që t’i zgjerohen kompetencat Gjykatës Speciale e cila do t’i hetonte krimet e kryera të serbëve në Kosovë.
“Tjetër është trajtimi i dhunimeve seksuale. Të kompensohen të gjitha vuajtjet që viktimat e dhunës seksuale kanë pësuar gjatë luftës. Kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni. Janë tema që nuk janë shtruar”, ka shtuar Limaj.
Sa i përket opozitës, Limaj ka thënë se Qeveria ka demonstruar që nga dita e parë se është për të bashkëpunuar me partitë opozitare.
