Limani ndez derbin: Kemi kualitet ta mposhtim Prishtinën

Drita e pret në shtëpi skuadrën e Prishtinës në kuadër të javës së 22-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Kapiteni i skuadrës nga Gjilani, Ard Limani në një intervistë për IndeksOnline është shprehur shumë optimist para kësaj ndeshje, edhe pse e ka cilësuar si ndeshje shumë të vështirë për skuadrën e tij.
“Ndeshje shumë e vështirë, rëndësia e pikëve për të dyja skuadrat do ta bëjë këtë ndeshje shumë të vështirë. Kemi ambicie të njëjta dhe të dyja skuadrat do të luftojmë për pikët e plota”, tha fillimisht për IndeksOnline Limani.
Mirëpo a ka ndikuar për keq, humbja të cilën Drita e pësoi javën e kaluar tek futbollistët e Dritës.
Kapiteni i skuadrës mendon se jo, sipas tij futbollistët nuk kanë nevojë ta rikthejnë kokën mbrapa dhe të mendojnë për atë ndeshje.
“Jemi të gjithë futbollistë me përvojë, lojtarë që dinë të menaxhojnë mirë këto situata dhe e dinë mirë se në futboll nuk mund ti fitosh të gjitha ndeshjet. Ashtu si ne edhe skuadrat tjera gabojnë. Ne kemi shumë besim në vete dhe kjo na ndihmon të ecim drejt qëllimit pa e kthyer kokën mbrapa”, vazhdoi tutje ai.
Për fund, Limani u shpreh se Drita ka kapacitet për të fituar këtë ndeshje e sipas tij fitoren më të lehtë do të ua bënte mbështetja e tifozëve.
“Mendoj që kemi kapacitet për të fituar këtë ndeshje. Edhe më lehtë do të bëhet nëse kemi pas vete sa më shumë shikues të cilëve iu premtoj se do të japim 101% të dielën dhe bashkë më ta do të festojmë në fund”, përfundoi Limani.
Ndeshja mes Dritës dhe Prishtinës do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 14:00./IndeksOnline/