“Lipjan City”, përurohet nënkalimi dhe vendparkimi nëntokësor, që ia shton bukurinë qytetit

Imri Ahmeti e ka përfunduar vitin në mënyrën më të mirë të mundshme. Kryetari i Lipjanit mbrëmë ka inauguruar nënkalimin dhe vendparkimin nëntokësor të qytetit.
Projekti me vlerë 6.1 milionë euro është realizuar me mjete vetjake dhe pa asnjë ndihmë nga qeveria.
“Madhështia e këtij projekti do të shfaqet plotësisht pas përfundimit të tij, me ndërtimin e sheshit dhe parkut qendror mbi parkingun. Ky park i gjelbër do të transformojë qendrën e qytetit me hapësira moderne dhe të denja për komunitetin tonë.
Në këtë mënyrë, ky projekt integron nënkalimin, sheshin, vendparkimin dhe parkun, duke krijuar një zonë atraktive dhe funksionale për të gjithë.
Ky projekt nuk ka qenë i lehtë. Pengesat, përfshirë mosdhënien e pëlqimeve nga ministria përkatëse, kanë ndikuar në zvogëlimin e përmasave të projektit, edhe pse prona është e Komunës së Lipjanit dhe e qytetarëve.
Projekti është financuar vetëm nga mjetet e komunës sonë, pa asnjë lloj ndihme nga qeveria, përkatësisht ministritë relevante.
Kostoja e gjithë projektit, pas përfundimit edhe të sheshit dhe parkut, ka vlerën rreth 6,100,000 euro.
Por, pavarësisht sfidave, ne nuk jemi ndalur dhe nuk do të ndalemi. Me përkushtim dhe punë, do të vazhdojmë ta shndërrojmë Lipjanin në një qytet modern, atraktiv dhe të përshtatshëm për të gjithë qytetarët” ka thënë ndër të tjera Imri Ahmeti pas inaugurimit të projektit./Indeksonline/