“Liri, jo shtypje, partneritet, jo nënshtrim”, Ursula Von der Leyen godet ashpër Vuçiqin gjatë vizitës në Beograd

Foto: EPA
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq iu drejtuan mediave pas një takimi të mbajtur sot në presidencë. Von der Leyen i dërgoi mesazhe jashtëzakonisht të forta udhëheqjes serbe në lidhje me domosdoshmërinë e respektimit të vlerave evropiane.
“Ne jetojmë në një botë të fragmentuar që po zgjeron hendekun midis demokracisë dhe autokracisë. Ju e dini shumë mirë se cili është qëndrimi i BE-së, qëndrimi ynë nënkupton liri, jo shtypje, duke përfshirë të drejtën për tubim paqësor. Ne gjithashtu mbështesim partneritetin, jo nënshtrimin, diplomacinë në vend të agresionit. Vendimi që Serbia të bashkohet me BE-në nuk ishte vetëm strategjik, ishte dëshira e qytetarëve të Serbisë. Pothuajse dy dekada më parë, Serbia bëri zgjedhjen për t’u bashkuar me BE-në”, tha Von der Leyen në fillim të fjalimit të saj, raporton Nova.rs.
“Z. president, tani është momenti i duhur që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit. Pika e parë është se duhet të shohim përparim në fushën e sundimit të ligjit, mediave elektronike dhe ligjeve zgjedhore. Ia vlen të bëhen përpjekje sepse po i afroheni qëllimit. Zbatimi është gjëja kryesore dhe për këtë arsye do t’ju ftoja të vini në Bruksel pas rreth një muaji”, shtoi ajo.
Ursula von der Leyen mbërriti në Beograd nga Sarajeva, si pjesë e turneut të saj në rajon. Një nga temat kryesore të diskutimit ishte Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, i paraqitur si një mënyrë për t’i afruar vendet e rajonit me Bashkimin Evropian.
Një e treta e fondeve do të jepet dhe pjesa tjetër janë kredi të buta, por vetëm nëse Komisioni Evropian vlerëson dy herë në vit se masat e reformës së dakordësuar janë zbatuar.