“Liria do të jetë e plotë kur do të ketë drejtësi për vrasjen e Xhemajl Mustafës”, flet presidentja!

Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani ka kujtuar Xhemajl Mustafën, me rastin e 21 vjetorit të vrasjes së tij.
“E them sërish që liria do të jetë e plotë vetëm atëherë kur do të ketë drejtësi për vrasjen e tij, sikur edhe të shumë veprimtarëve të tjerë të vrarë pas luftës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Postimi i plotë:
Sot, në njëzetenjëvjetorin e vrasjes, e kujtojmë me respekt të thellë Xhemajl Mustafën, njërin ndër veprimtarët më të rëndësishëm për liri dhe pavarësi, bashkëpunëtorin e Presidentit Rugova, njeriun e urtë e dijetarin e shquar të Kosovës, Xhemën e Llapit, e Xhemën e Prishtinës, agut të lirisë të së cilës i shkruante në netët e errëta të robërimit, pa e ditur se pasi të mbërrinte ky ag, në një natë sterrë, një dorë tinëzare do ta shuante pabesisht.
Xhema qe i veçantë, siç qe e veçantë urtia dhe sjellja e tij në politikë dhe në jetë. Ai qe guximtar i vendosur, vizionar dhe këmbëngulës në qëndrimet e tij, por i butë në sjellje.
Intelektual i mirëfilltë, Xhema i vuri themelet e informimit të drejtë të opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.
Ne do ta kujtojmë përjetësisht Xhemën tonë. Vepra e tij mbetet shembëlltyra më e mirë se si punohet urtësisht për vendin, pa u ndalur, deri në vdekje. E them sërish që liria do të jetë e plotë vetëm atëherë kur do të ketë drejtësi për vrasjen e tij, sikur edhe të shumë veprimtarëve të tjerë të vrarë pas luftës.