18:43 / E Enjte, 02 Maj 2019 / indeksADMonline

Liria e informimit në udhëkryq

Nesër pritet që paneli përzgjedhës i Kuvendit të filtrojë listën e kandidatëve që aplikuan për kreun e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Zbatimi i përpiktë i kritereve të këtij konkursi nga ky panel do të përcaktojë nëse gjatë pesëvjetëshit të parë do të ketë liri të informimit për komunitetin e gazetarisë dhe privatësi për qytetarët

Institucioni i shtetit i mandatuar me ligj që të mbrojë privatësinë tonë, duke mbikëqyrur ata që kanë në duar të dhënat tona, në pesë vjetët e para ishte udhëhequr nga një bord prej pesë vetash, të cilët u patën emëruar nga Kuvendi, si çdo emërim tjetër që është bërë nga Kuvendi dhe politika në përgjithësi.

Mirëpo jo çdoherë kishte zbatueshmëri të përpiktë të këtij ligji dhe së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ketë e ka potencuar në vazhdimësi shoqëria civile, që merreshin me monitorimin e kësaj fushe.

Falë angazhimit të zyrave ndërkombëtare në vendin tonë sot kemi një ligj të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, brenda të cilit përcaktohet se ish-Agjencia Shtetërore për Ruajtjen e të Dhënave Personale, emri i ri i së cilës sot është më i shkurtër dhe më i kapshëm për publikun (Agjencia për Informim dhe Privatësi), do të shërbejë si instancë e dytë për realizimin e kërkesave tona për t’u qasur në dokumentet publike.

Fatmirësisht nga tash e tutje ky autoritet do të ketë mundësi të shqiptojë edhe gjoba për ata që tregohen mospërfillës ndaj kërkesave legjitime, ku shpesh në emër të privatësisë janë fshehur një varg dokumentacionesh publike, kontrata publike, vendime etj. 

Komisionari i Agjencisë për Informim dhe Privatësi do të jetë personi kryesor që menaxhon dhe koordinon veprimet në këtë institucion të pavarur.

Si agjenci e pavarur koka e tij do të përzgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës përmes komisionit parlamentar përkatës. Mirëpo monitorimi i këtij procesi do të bëhet nga shoqëria civile dhe nga partnerët anglezë, që do të ndihmojnë përzgjedhjen e zyrtarëve të lartë publikë (tashmë edhe nga Kuvendi, përveç Qeverisë).

Monitorimi i këtij procesi është krucial për pavarësinë e këtij institucioni dhe në përgjithësi fushës së informimit dhe privatësisë. 

Është e vështirë të besohet se nuk do të ketë ndërhyrje politike në përzgjedhjen e kokës së këtij institucioni, mirëpo shpresojmë se ky proces do të shkojë si duhet. 

Përndryshe, edhe ky institucion në rast se bie nën ndikim partiako-politik do të shërbejë si një “mashë” e partisë përkatëse për shantazhimin e medieve në emër të privatësisë. Dhe në përgjithësi publikimit të çdo informate publike me interes publik dhe për opinionin. 

Flutra Kusari, pjesë e organizatës KCSF, njëherësh edhe monitoruese e procesit të përzgjedhjes së komisionarit të Agjencisë nga komisioni parlamentar përkatës, përmes llogarisë së saj në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar se ky proces është duke u monitoruar nga shoqëria civile dhe se interesim për ketë proces ka shfaqur edhe ambasadori gjerman Christian Heldt. Ku ndër të tjera shkruan edhe për nevojën e menjëhershme të kësaj përzgjedhjeje në mënyrë të pavarur, në bazë të meritës dhe të kompetencës. Pra kjo tregon edhe një herë rëndësinë e këtij institucioni dhe se ndikimi eventual politik mund ta deformojë fjalën e lirë dhe informimin në përgjithësi. Kusari, po ashtu një eksperte e kësaj fushe, ka bërë thirrje në vazhdimësi që ketë proces duhet ta përcjellë pavarësia dhe meritokracia. 

Në njërin nga publikimet e saja në faqen e saj në “Facebook” ka potencuar se si monitoruese e kësaj fushe ka qenë më se e zhgënjyer nga mbikëqyrësit paraprakë të këtij institucioni, si dhe droja që ndikimi politik do të jetë prezent e shtyri edhe më shumë të proklamojë rëndësinë e autonomisë se komisionarit.

Ne shtetet e Unionit Evropian Institucioni për Informim dhe Privatësi është njëri nga institucionet më të rëndësishme të funksionimit demokratik dhe pavarësisë së informimit në shoqëritë e vendeve evropiane. Si duket në bazë të kësaj rëndësie ka qenë edhe reflektimi i ambasadorit gjerman në faqen e tij në “Twitter”.

Shpresojmë se përzgjedhja e komisionarit të AIP-it të jetë një proces i pavarur, duke përzgjedhur kandidatin më të mirë dhe më meritor për ketë pozicion.