“Liria ka Emër” merr mbështetje nga Ali Ahmeti, për marshin “Drejtësi, jo politikë”
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë realizuar sot një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të takimeve me veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare dhe përfaqësues politikë shqiptarë në rajon.
Vizita e parë u zhvillua me Ali Ahmetin, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili u njoftua nga përfaqësuesit e platformës me misionin e “Liria ka Emër”, aktivitetet e deritanishme dhe mobilizimin e gjerë qytetar për Marshin e madh “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve të Kosovës që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Gjatë takimit, Ali Ahmeti theksoi rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj kauze, duke nënvizuar se drejtësia për çlirimtarët është pjesë e dinjitetit kolektiv të shqiptarëve.
“Lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, e domosdoshme dhe historikisht e pastër. Ata që udhëhoqën dhe mbrojtën këtë luftë nuk mund të mbahen peng i padrejtësive politike. Vendi i tyre është në shtëpi, pranë familjeve dhe popullit të vet, dhe ata duhet të kthehen sa më parë”, tha Ahmeti.
Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, theksoi se mobilizimi po rritet çdo ditë dhe se marshi i 17 shkurtit do të jetë shprehje e një zëri të fuqishëm qytetar.
“Ky marsh nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të drejtësisë. Po ndërtojmë një mobilizim të madh qytetar, brenda dhe jashtë Kosovës, sepse kjo është një kauzë që i tejkalon partitë dhe kufijtë”, tha Hoxha.
Ndërkaq, Ismail Tasholli vuri në dukje dimensionin gjithëkombëtar të kësaj thirrjeje.
“Drejtësia për çlirimtarët është çështje kombëtare. Mbështetja nga veprimtarë dhe liderë shqiptarë në rajon e forcon mesazhin se kjo kauzë është e përbashkët dhe se zëri qytetar duhet të dëgjohet qartë në këtë fazë finale të procesit në Hagë”, tha Tasholli.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë vizitat dhe takimet me përfaqësues politikë, shoqërorë dhe komunitete shqiptare në rajon dhe diasporë, duke bërë thirrje për mobilizim të gjerë qytetar dhe gjithëkombëtar për pjesëmarrje masive në Marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt në Prishtinë.

