Liria reagon ndaj anulimit të golit të Nikqit në ndeshjen ndaj Vushtrrisë
Klubi i futbollit Liria ka reaguar zyrtarisht pas anulimit të golit të shënuar nga Dijar Nikqi në ndeshjen kampionale kundër Vushtrrisë, duke e cilësuar vendimin e gjyqtarëve si të diskutueshëm.
Sipas reagimit të klubit, goli i Nikqit u anulua nga gjyqtari kryesor Rrezart Hasani me arsyetimin për një faull në aksion. Megjithatë, nga pamjet e publikuara, klubi pretendon se nuk ka pasur faull nga lojtari i tyre dhe se kontakti në fakt ishte ndaj tij, shkruan Indeksonline
Liria thekson se në rast se goli nuk do të pranohej, situata duhej të ndëshkohej me penallti në favor të tyre. Klubi gjithashtu ka ngritur shqetësime edhe për rolin e sistemit VAR në këtë rast, duke qenë se gjatë ndeshjes ishte në funksion me gjyqtarin Ilir Mehmeti.

