Liridon Leci tregon se ishte dehur para një ndeshje, i kërkon falje trajnerit pas 15 vitesh

Liridon Leci aktualisht luan tek skuadra e Dritës dhe është një ndër mbrojtësit më kualitativ në ligë, megjithatë karrierën e ka nisur tek Kosova e Prishtinës.
Leci në rrëfimin për GazetaBlic ka zbuluar një rast mjaft qesharak që i kishte ndodhur në fillimet e karrierës së tij. Ai tregon se si kishte thyer rregullat e klubit duke qëndruar zgjuar deri vonë një ditë para ndeshjes.
“Sa isha tek Kosova e Prishtinës në moshën 17 vjeçare, trajner ishte profesor Bylbyl Sokoli. Ne kishim një ndeshje të rëndësishme me Prishtinën gjatë javës. Pasi përfunduam stërvitjen e fundit para ndeshjes, Profa na tha: ‘Shkoni në shtëpi, pushoni mirë, fleni herët edhe shihemi nesër në drekë’, fillon rrëfimin Liridon Leci.
“Unë në atë kohë udhëtoja me portierin Labinot Qosa.Ai më ftoi që të shkoj në shtëpinë e tij dhe të fle tek ai. Unë pranova dhe shkuam bashkë në shtëpinë e tij. Në orën 22:00, ishim bërë gati për me flejt, por në atë kohë erdhën dy apo tre shokë të cilët e morën Labin dhe normalisht se iu bashkangjita dhe unë, ku dolëm së bashku. Kemi shkuar në një restaurant dhe filluam të bëjmë muhabet, ndërsa më pas edhe filluam të pijmë. Iu bashkangjita edhe unë, pasi nderova muhabetin e tyre. Por në fund përfunduam të dehur…”, vazhon Leci.

Leci vazhdon të tregojë rrëfimin e tij, duke theksuar se çfarë ndodhi në ditën e ndeshjes, kur ai dhe portieri, Qosa ishin shumë të lodhur, pasi nuk kishin bërë gjumë të mjaftueshëm.
“Në ditën e ndeshjes, pra nesër pak para sfidës e mësuam se të dy ishim në formacionin startues. Ne gjithashtu shkuam në drekë me klubin para sfidës. Mua më merrke gjumi… Pasi startoi ndeshja, ‘në tre topat e parë, gabova pesë herë’. Në minutën e 30’të rezultati ishte 3-0 për Prishtinën. Unë dhe Qosa ishim duke bërë një ndeshje skandaloze. Unë u ndërrova nga trajneri menjëherë në pjesën e parë. Profa nuk ishte në dijeni që ne kemi qenë në restaurant deri në orën 05:00. Pas ndeshjes na tha: ‘Ju jeni lojtarë frikacak, nga frika e madhe lujatët shumë dobët’, citon Leci fjalët e trajnerit të njohur Kosovar, Bylbyl Sokoli.
Në fund, Liridon Leci shpreh dëshirën që ti kërkojë falje ish trajnerit të tij për ndeshjen e tij të dobët të zhvilluar në atë kohë, ndërsa shpreson se nuk do të ketë hatërmbetje nga ‘Profa’.
“Gjithsesi profa edhe sot e kësaj dite nuk e ka kuptuar se si ka qenë kjo punë. Shpresojmë që Profës të mos i mbes hatri dhe tashmë i kerkojmë falje. Më mirë vonë, sesa kurrë”, përfundoi Leci rrëfimin.