75 Mall Live Search
09:25 / E Enjte, 01 Mars 2018 / indeksADMonline

Lirimi i aktivistëve të VV-së, mbrojtja ka një kërkesë për gjyqësorin

Të martën e kësaj jave, Gjykata e Apelit bëri të ditur se rasti i aktivistëve të Vetëvendosjes të akuzuar për terrorizëm është kthyer në rivendosje.

Të akuzuarit në këtë rast, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti vazhdonin të përballeshin me gjyqësinë kosovare lidhur me rastin e sulmit me armë të objektit të Kuvendit të Kosovës në vitin 2016.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit dhe hapat e mëtejshëm, Indeksonline ka kontaktuar avokatin mbrojtës të të akuzuarve, Tomë Gashi.

Gashi lidhur me këtë rast ka thënë se ndërprerja e masës së paraburgimit është vetëm fillimi i përmirësimit të padrejtësisë së dënimit të qëllimshëm të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ata u dënuan për arsye të bindjeve politike dhe jo se e kishin gjuajtur Parlamentin e Kosovës me granatahedhëse dhe kjo u vërtetua gjatë gjithë gjykimit të shkallës së parë. Gjykata e Apelit konfirmoj mungesën e provave dhe për këtë arsye u ndërpre masa e paraburgimit dhe rasti u kthye në rigjykim me udhëzime konkrete për Gjykatën Themelore”, ka shtuar Gashi.

Gashi ndër të tjerash ka bërë të ditur se mbrojtja do të kërkojë që ky rast në rigjykim të gjykohet nga një kryetar tjetër i trupit gjykues ngase sipas tij së paku në aktgjykimin e shkruar haptas shihen arsyet politike për dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes.

“Padrejtësia do të përmirësohet disi, por drejtësia do të vëhet vetëm me lirimin e të gjithë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të pafajshëm, dhe me identifikimin dhe gjykimin e të gjithë të implikuarve në rastin e vrasjes së Astrit Deharit, për këtë rast të montuar”, ka përfunduar Gashi.

E ndër të akuzuarit e këtij rasti, Frashër Krasniqi një ditë pas marrjes së vendimit të Gjykatës së Apelit, është kthyer në Kuvendin e Kosovës, si deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje./Indeksonline/