Lirimi i dyshimtë i zyrtares së VV-së dhe rasti me biznesmenin nga Gjilani

Gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Naser Maliqi, i cili kohë më parë kishte pëlqyer një video në Facebook ku shfaqej Kryeministri Albin Kurti me zyrtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje në një restorant në Podujevë, ka marrë një vendim që po ngjall reagime.
Maliqi ka liruar nga aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare Drejtoreshën e Inspeksionit në Gjilan, Entela Hyseni – anëtare e VV-së, vetëm dy ditë pasi Gjykata kishte pranuar ankesën nga pala e dëmtuar.
Sipas të dhënave të publikuara nga portali “Zerogjashtë”, vendimi u mor pa u përmbushur afatet ligjore standarde për përgjigje në ankesë. Gjykata i ka dhënë vetëm dy ditë kohë palës së dëmtuar për të dorëzuar ankesë, ndërkohë që vendimi nuk është bërë publik.
Megjithëse vendimi i Gjykatës Themelore nuk është ende i plotfuqishëm, për shkak të mundësisë së apelimit në dy instanca të tjera, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, reagoi me ironi në Facebook duke shkruar: “Drejtësia fitoi! Urime Entela.”
Entela Hyseni ishte nën hetim për moszbatimin e një aktvendimi të Inspektoratit për rrënimin e një ndërtimi të paligjshëm në lagjen “Fidanishtja”. Më 1 korrik 2023, inspektorët kishin urdhëruar kompanitë “Engji SH.P.K” dhe “Elita SH.P.K” të rrënonin murin ilegal dhe të rikthenin hapësirat në gjendjen e mëparshme, në përputhje me vendimin për legalizim.
Këto kompani ishin ankuar nga biznesmeni Valon Salihu, i cili ka në pronësi disa lokale pranë objektit kontestues. Sipas tij, ndërtimi i paligjshëm e ka penguar në shfrytëzimin e lokaleve për veprimtari afariste.
Sipas dyshimeve, Entela Hyseni nuk ka vepruar për rrënimin e murit, për shkak të ndikimit të nënkryetares së Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku – motra e Agron Morinës, investitor i “Elita SH.P.K”.
Valon Salihu i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, duke kërkuar zbatimin e aktvendimit. Ai e ka paralajmëruar atë për kallëzim penal nëse nuk ndërmerren veprimet ligjore.
“Për të mos ardhur në pozitën e Entela Hysenit, kërkoj që të ndërmerrni veprimet ligjore që iu takojnë, përndryshe do të jem i detyruar të ushtroj kallëzim penal ndaj jush”, thuhet në letrën e Salihut.