Lirohen hapësirat e uzurpuara nga institucionet paralele serbe në Leposaviq, mbyllen disa zyra ilegale

Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot një aksion në Komunën e Leposaviqit, me qëllim të lirimit të hapësirave komunale të cilat ishin uzurpuar nga institucione paralele të Serbisë që vepronin jashtëligjshëm në territorin e Republikës së Kosovës.
Aksioni është realizuar pas kërkesës zyrtare të kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse shtetërore, transmeton IndeksOnline.
Në kuadër të këtij operacioni janë mbyllur zyrat ilegale të njohura si: Zyra për punësim, Zyra e pensioneve dhe ndërmarrja hoteliere “Kopaoniku”.
Këto objekte funksiononin jashtë juridiksionit të Republikës së Kosovës dhe konsideroheshin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë në veri të vendit.
Policia e Kosovës njofton se do të vazhdojë angazhimin e saj për të garantuar sundimin e rendit dhe ligjit në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform legjislacionit në fuqi./IndeksOnline/