75 Mall Live Search
09:26 / E Mërkurë, 24 Mars 2021 / OSH

Lirohen qindra të burgosur në Mianmar

Qindra persona, që ishin arrestuar për shkak të pjesëmarrjes në protesta, si pasojë e puçit ushtarak në Mianmar (Birmani), janë liruar më 24 mars nga burgu në Rangoon, kanë raportuar dëshmitarët dhe mediat lokale.

Ky shtet i Azisë Juglindore është përballur me protesta ditore prej puçit të 1 shkurtit dhe arrestimit të lideres së rrëzuar nga pushteti, Aung San Suu Kyi.

Mbështetësit e saj kanë thënë se akuzat kundër saj janë të rreme.

Disa autobusë të mbushur me të burgosur janë larguar nga burgu Insein në mëngjes, kanë thënë dëshmitarët.

Ndër ta është thënë të ketë pasur edhe avokatë.

Autoritetet, nga ana tjetër, ende nuk kanë bërë ndonjë njoftim zyrtar.

Liderët ushtarakë kanë thënë se zgjedhjet e nëntorit të vitit 2020, të fituara nga partia e Suu Kyisë, ishin manipuluar.

Puçi ushtarak i shkurtit ka kthyer mbrapsht përpjekjet për t’u këndellur nga rregulli ushtarak për gati një gjysmë shekulli.

Grupi aktivist Asociacioni për të Burgosurit Politikë ka thënë se të paktën 2.000 persona ishin arrestuar në protestat kundër puçit.

Në këtë periudhë, 250 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë.