75 Mall Live Search
23:22 / E Premte, 27 Shkurt 2026 / F.R

Lirohen tre të dyshuarit që iu gjetën 1 milion euro në Merdarë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., shtetas të Shqipërisë, të dyshuar për veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi tha se gjyqtari i Procedurës Paraprake përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, ndërsa të pandehurit janë liruar menjëherë, nga momenti i dorëzimit të këtij aktvendimi.

“Gjykata gjeti se në këtë rast nuk përmbushet kushti thelbësor nga neni 184 paragrafi 1 pika 1 .1 të KPPRK-së, përkatësisht Prokuroria nuk arriti të vërtetojë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L., kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, pasi sipas Gjykatës në kërkesën e Prokurorisë nuk është përmendur asnjë provë,  sado sipërfaqësore, në të cilën Prokuroria e mbështet pretendimin e saj lidhur me dyshimin e bazuar”, tha ajo.

Sipas vendimit të gjykatës, kërkesës për caktimin e paraburgimit nuk i janë bashkëngjitur as provat minimale për këtë fazë të procedurës, siç janë procesverbali i kontrollit të automjetit e as vërtetimi për sekuestrim të sendeve, të cilat janë prova të domosdoshme për krijimin e bazës për caktimin e paraburgimit.

“Andaj duke u gjendur në këtë situatë dhe në mungesë të materialit provues, gjykata është e obliguar të zbatoj nenin 163 par.3 të KPPRK-së dhe të liroj të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L.”.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte paraburgim për tre persona të arrestuar më 24 shkurt, të dyshuar për shpëlarje parash.

Ata u ndaluan në Merdarë teksa hynin në Kosovë me një furgon “Sprinter” me targa shqiptare, duke deklaruar se nuk kishin asgjë për të raportuar.

Gjatë kontrollit u zbuluan 18 pako me rreth 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të modifikuar të automjetit.