75 Mall Live Search
13:48 / E Mërkurë, 11 Dhjetor 2024 / H F

Lirohet Gëzim Sveçla, gjykata refuzon kërkesën për caktim të masës së arrestit shtëpiak

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka konstatuar të pabazë kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së “arrestit shtëpik”, ndaj shefit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla.

Gjykata Themelore në Prishtinë sot mori vendim që Sveçla të lejohet të mbrohet në liri.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më 09.12.2024 rreth orës 10:45, në sallën e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, në momentin që anëtarët e Kuvendit të Komunës largohen nga salla për një pushim (pauzë), i pandehuri G.S anëtar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, me qëllim të ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Komunës, e që si pikë e rendit të ditës ishte edhe miratimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, me dashje e ka dëmtuar pasurinë e personit tjetër respektivisht pronën publike (mikrofonin) e vendosur te tavolina e kryesuesit të Kuvendit të Komunës, me ç’ rast të dëmtuarës Kuvendit të Komunës së Prishtinës i ka shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftim.

Shefi i asamblistëve të VV-së demoloi pajisjet e Kuvendit Komunal të Prishtinës të hënën e 9 dhjetori.

Pas atyre veprimeve vandaliste, Gëzim Sveçla tha se ishte një “akt simbolik” ndaj pakënaqësive që kishin dhe se thjesht siç tha ai kishte dashur të nxirrte nga funksioni mikrofonin e kryesuesit. Po atë ditë, ai u ftuar për intervistim nga Policia e Kosovës.