Lis Shoshi, MVP i Xhiros 26

Java e 26-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës ka dhuruar ndeshje mjaft interesante dhe ku po luftohet për çdo pozitë.
Basketbollisti i javës është shpallur qendra pejane, Lis Shoshi.
Ai ndaj Trepçës për 30 minuta sa qëndroi në parket kishte 23 pikë, nëntë kërcime dhe një asistim, duke pasur indeksin e ndeshjes 29.

Kjo ishte vetëm ndeshja e dytë për Shoshin, i cili është rikthyer në parket pas afro gati dy vjetëve. Takimin e parë e zhvilloi ndaj Ponte Prizrenit.
Lisi është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe pritet t’u ndihmojë “Dardanëve” kur të rikthehet, pasi ishte mungesë e madhe, që nga lëndimi, që pësoi në verën e vitit 2019.
Top 5 basketbollistët me indeksin më të lartë në xhiron e 26-të ishin: Obinna Oleka i Bashkimit 36, Lis Shoshi i Pejës 29, Brandon Waltersi i Pejës 29, Nigel Johnsoni i Sigal Prishtinës 28 dhe Ed Danieli i Rahovecit 28.
