75 Mall Live Search
15:44 / E Martë, 28 Shtator 2021 / B O

Lista Guxo në Pejë “godet” LDK-në, Ruzhdi Blakaj tregon gjendjen e “mjerë” të arsimit në këtë komunë

Ruzhdi Blakaj është pjesë e listës së kandidatëve për asamble në Pejë. Anëtari i Listës Guxo në marrëveshje me Vetëvendosjen po synon që t’i jep fund qeverisjes së Gazmend Muhaxherit në Pejë.

I njohur si mësimdhënës i denjë dhe biznesmen në Pejë, Blakaj ka një program para vetes me të cilin synon të jetë zë përfaqësues në asamblenë e Pejës. 8-shi i listës së Vetëvendosjes në Pejë ka treguar biografinë e tij, ndërsa ka analizuar edhe gjendjen e arsimit në këtë komunë.

“Të nderuar qytetarë të Pejës.
Ky shkrim ka të bëjë me gjendjen e arsimit në komunën e Pejës. Kjo është dhe arsyeja për të cilën kam vendosur të kandidojë për asamble komunale.
Duke qenë vetë mësimdhënës, konsideroj se e njoh mirë këtë çështje. Gjendja në të cilën ndodhet sot sistemi i arsimit në komunën e Pejës lë shumë për të dëshiruar për shkak të keqmenaxhimit nga organet kompetente të kësaj komune. Ndëhyrja e politikës, sidomos e kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxheri bashkë me sejmenët e tij, ka bërë që një numër i konsiderueshëm i mësimdhënsve te mbesin pa normë të plotë mësimore, gjë që ka rrezikuar seriozisht mbijetesën e tyre. Shkolla e mesme e lartë ekonomike “Ali Hadri “ tani është pranë mbylljes së plotë. Para tetë vitesh kjo shkollë kishte rreth 1500 nxënës, kurse tani pas tetë vitesh qeverisjeje të z. Muhaxheri dhe klikës së tij numri i nxësve në këtë shkollë ka rënë në rreth 300 nxënës, më rreth 86 mësimdhënës ,ndërkohë që në media trumbetojnë vazhdimisht për rritje të numrit të nxënësve në shkollat profesionale.

Rreth 13 profesorëve të kësaj shkolle u është përgjysmuar fondi i orëve, kurse pritet largimi edhe i dhjetëra mësimdhënsve të tjerë nga shkolla të ndryshme të kësaj komune.

Pse po ndodh e gjithë kjo?
Për arsye, thjeshtë, elektorale.
Ndërhyrja sistematike e kryetarit dhe e klikës së tij gjithashtu e ka sjellë buzë shkatërrimit edhe njërën nga shkollat më të mira në gjithë Republikën e Kosovës, gjimnazin ” Bedri Pejani”.
Nga 28 nxënës- aq sa pranon administrata e shkollës dhe aq sa është e paraparë të jenë në një klasë- pas fillimit të rregullt të vitit shkollor numri i nxënësve në drejtimin shoqëror nga 28 rritet deri në 40, dhe kjo zakonisht ndodh në vitet elektorale, kur në këmbim të votës pranohen nxënës pa asnjë kriter.
Kjo ka bërë që cilësia e mësimit të bjerë dukshëm. Në klasët e dhjeta të SHME ” Ali Hadri” janë regjistruar rreth 80 nxënës ndërkohë që në gjimnazin ” Bedri Pejani” vetëm dy klasa kanë rreth 80 sish.
DKA është kthyer në një kantier ndërtimi. Në Leshan është ndërtuar shkolla dhe salla e edukatës fizike ndonëse aty nuk ka nxënës. Është ndërtuar shkolla e artit pa miratimin e Kuvendit Komunal. Është duke u ndërtuar një shkollë në oborrin e gjimnazit”Bedri Pejani “ në kohën kur numri i nxënësve ka pësuar rënie të theksuar. Ka dhjetë vjet që kur ka filluar ndërtimi i sallës së edukatës fizike në oborrin e këtij gjimnazi dhe ende nuk është funksionalizuar, pra ajo vazhdon të jetë e pashfrytëzueshme për mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle.
Ndonëse ka rreth dy vite që kur sekretari i kësaj shkolle ka dalë në pension, ai vazhdon ta ushtrojë këtë detyrë thuajse në gjithë territorin e kësaj komune nuk paska qoftë edhe një jurist!
Çfarë ndodhi me planin zhvillimor të arsimit? Si është e mundur që rreth 150 veta të jenë në listën e pagave si punëtorë arsimorë, po të cilët nuk ligjerojnë askund ?!

I nderuar kryetar i komunës së Pejës, a mund të na thoni- natyrisht nëse dini- se për sa mjekë, inxhinierë a studentë të shkencave natyrore a shoqërore si dhe sa personel të kuadrove arsimore ka nevojë komuna jonë ?
Ndoshta ka ardhur koha që DKA-në ta kthejmë në DKN* , ku kompani të ndryshme do të përfitojnë në mënyra të ndryshme: kush duke ndërtuar, kush duk shitur zall, kush duke shitur beton, kush duke instaluar ndriçim nëpër rrugë e shkolla. Kështu do bëheni edhe më i pasur nga ç’jeni e kështu do t’i bëni milionerë edhe drejtorët e shkollave, të cilët për këto tetë vite të qeverisjes suaj kanë fituar nga ç’ mund të fitojë një mësimdhënës gjatë gjithë jetës së tij.

Kryetar, do të duhej t’ju vinte keq, vërtet, t’ju vinte keq për gjendjen në të cilën e keni sjellë arsimin në komunën tonë.

I nderuar kryetar Muhaxheri, e keni pyetur veten ndonjëherë se cila është sot dëshira më e madhe e një nxënësi të komunës sonë? Të ikë, kryetar, vetëm të ikë nga ky qytet ku ai shpresonte të realizonte ëndrrat e tij, jo pse ai nuk e do vendin e vet, po sepse ju, kryetar, i keni krijuar bindjen se këtu do të mund të punësohen e të jetojnë vetëm ata që kanë lidhje me pushtetin. Kjo është arsyeja pse nuk mbet vend për njerëzit e ndershëm në LDK.
Qytetarë të Pejës, Ju meritoni një qeverisje më të mirë, ku secili do të ndihet i barabartë dhe i vlerësuar dhe ku secilit do t’i jepet mundësia e realizimit të ëndrrave” shkruan Blakaj në njoftim.