10:42 / E Hënë, 29 Maj 2023 / S Z

Lista Serbe del me dy kërkesa për tërheqjen e protestuesve

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se janë dy kërkesa që ua ka përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.

“Kërkesat tona janë që sherifët – siç e quajnë veten – të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, tha Rakiq, duke folur nga Zveçani.

Më 29 maj, serbët po protestojnë para ndërtesave komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave.

Policia e Kosovës, por edhe trupa të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë shtuar prezencën e tyre në veri.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se protestuesit do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.

“Ne nuk do të largohemi derisa ata të tërhiqen. Presim që KFOR-i të qëndrojë neutral ndaj statusit, të mos ofrojë mbrojtje për njësitë e paligjshme parapolicore, të ruajë paqen sepse ne jemi të interesuar për paqe. Qytetarët erdhën këtu për të mbrojtur paqen dhe familjet e tyre”, tha ai.

Pas rritjes së tensioneve në veri më 26 maj, Lista Serbe ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeveria serbe që të ndërprenë apo pezullojnë dialogun me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj të shkonin në zyrat e tyre. Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët u përleshën me zyrtarët policorë.

Veprimet e Prishtinës janë dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar, që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë dorë nga “masat e dhunshme”.