75 Mall Live Search
16:40 / E Hënë, 01 Shtator 2025 / BA

Lista Serbe dhe Srpska Demokratija e Arsenijeviqit garojnë në Zgjedhjet Lokale 2025

Kreu i KQZ ka njoftuar për zbatimin e vendimeve të PZAP’it përmes të cilave janë hedhur poshtë vendimet e KQZ për moscertifikimin e tyre.

Kujtojmë që të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendimin për të mos certifikuar Listën Serbe, çka la subjektin jashtë procedurave zyrtare për pjesëmarrje. Ky vendim nxiti menjëherë reagime të ashpra nga ndërkombëtarët.

Një ditë pas vendimit të KQZ-së, Lista Serbe bëri të ditur se e ka depozituar ankesën e saj te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian reaguan ashpër, duke shprehur shqetësimin e tyre për këtë vendim.

Madje Kosova pranoi një paralajmërim me tone të prera se çelësi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian ndërlidhet drejtpërdrejt me “karakterin gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale”.

“Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale që po afrojnë është kyç për marrëdhënien e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin detyrat e tyre në mbarë Kosovën, mbi bazën e një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.” – u tha ndër të tjera në reagimin e BE-së.

Pas vendimit të KQZ-së, deputetët e VV-së vunë në shënjestër gjyqtarët e PZAP-së. Disa prej deputetëve të partisë së Albin Kurtit kanë filluar presionin ndaj këtyre gjyqtarëve, duke i publikuar emrat e tyre.

Kjo nuk ndikoi në vendimin e këtij institucioni, duke hedhur poshtë vendimin e KQZ-së, nën argumentin e mungesës së bazës së mjaftueshme ligjore.