14:42 / E Premte, 06 Shtator 2019

Lista serbe dorëzon në KQZ listën e deputetëve

Pas dorëzimit të listës së kandidatëve sot në Komisionin Qendror Zgjedhor nga ana e Listës serbe, kryetari i kësaj liste, Goran Rakiq, ka bërë të ditur emrat e kandidatëve për deputetë në Parlamentin e Kosovës.

Ai tha se po marrin pjesë në zgjedhje pas konsultimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Me krenari them se Lista serbe edhe këtë herë do ta ketë përkrahjen e fuqishme të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, përkundër disa sulmeve jo të partive politike, por të disa serbëve të cilët interesin personal e kanë mbi interesin nacional, dhe të cilëve me siguri shteti serb nuk është vendlindja e tyre. Edhe këtë herë lista do të ketë kandidatët më të mirë që do t’i përfaqësojnë ata jo në rrugë, por në Kuvend, për të drejtat e tyre dhe për një jetë më të mirë, dhe jo vetëm të serbëve por edhe të ashkanljinjëve, boshnjakëve, goranëve, romëve etj, të cilët kanë në interes një jetë më të mirë dhe qëndrimin e serbëve në këto hapësira”, tha ai.

Ai duke lexuar emrat e kandidatëve, i bëri thirrje serbëve që t’i bashkohen Listës serbe në mënyrë që të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një jetë më të mirë  dhe qëndrim të serbëve në këto hapësira.

“Unë nuk di çfarë keni dëgjuar, por në takimin tonë unë kam propozuar që Millan Radojqiq të udhëheqë me pozitën e kryetarit të listës, mirëpo ai ka refuzuar duke dashur të mbetet në pozitën qe ka qenë deri tash, atë të nënkryetarit….Jam i bindur se dalja e qytetarëve do të jetë masive dhe lista do të fitoj 10 vendet…Mesazhi është se i ftojmë të gjithë për unitet dhe mbështetje të asaj që fton presidenti Vuçiq..  sepse vetëm kështu mund të mbështesim një jetë më të mirë jo vetëm për serbët por edhe të tjerët”, tha ai.