75 Mall Live Search
15:42 / E Mërkurë, 03 Gusht 2022 / k.v

Lista Serbe i kundërpërgjigjet ministrit Sveçla: Duam ta rrëzojmë Qeverinë!

Lista Serbe, që është partia kryesore e serbëve të Kosovës, iu kundërpërgjigj deklarimeve të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ky i fundit në intervistë për RTK-në,d deklaroi se kjo parti është e devalvuar politikisht, për shkak të pafuqisë që ka në Kuvend dhe Qeveri.

Megjithatë, Lista serbe, në deklaratë të publikuar, u shpreh se kjo parti që është pjesë e Qeverisë, dëshiron që ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Listës Serbe, kjo parti po punon kundër interesave të popullit serb.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti”, shkruan në deklaratë të kësja partie.

Lista serbe beson se kryeministri Kurti po punon kundër interesave të të gjithëve të tjerëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona.

Ky reagim i Listës Serbe, pason deklarimet e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili në magazinën informative  “Lajmet e Fundit” në  RTK, u shpreh se kjo parti, “është devalvuar politikisht”.

Sipas tij,  në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi u shpreh se ajo bashkëpunon me grupe kriminale.

Sveçla tha se Lëvizja Vetëvendosje  nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe, por sipas Kushtetutës, kjo parti merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe nuk e ka votuar Qeverinë e Kurtit, në seancën e mbajtur më 22 mars të vitit 2021.