18:29 / E Enjte, 09 Dhjetor 2021 / A. M.

Lista Srpska për sanksionet: Kampanjë për të dobësuar unitetin e serbëve në veri

Lista Serbe ka kundërshtuar vendimin e Thesarit Amerikan për t’i vënë sanksione nënkryetarit të saj, Zvonko Veselinoviq.

Kjo parti, në reagimin e saj, thotë se kjo është një kampanjë e koordinuar për të dobësuar unifikimin e serbëve në zonat veriore.

“Akuzat e pabazuara për anëtarët e Listës Serbe dhe serbëve nga veriu i Kosovës janë një kampanjë e koordinuar për të dobësuar unitetin dhe mbrojtjen e njerëzve tanë në këto zona”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Tutje, në reagim, thuhet se reagimet për sanksionet nga ana e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës janë justifikime për aksionet e policisë në veri.

“Gjithashtu, qëllimi i dukshëm i aksioneve të përbashkëta propagandistike, paushalle, që shihet edhe në reagimin e Albin Kurtit, është që të justifikohen sulmet e fundit ndaj popullit duarthatë serb dhe derdhja e gjakut serb, duke plagosur Srecko Sofronijeviqin gjatë dhunës brutale të aksionit të policisë së Kosovës, si dhe alibitë për veprime të mundshme të reja të njëanshme të Prishtinës në veri të Kosovës”.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Departamentit Amerikan të Thesarit ka targetuar rrjetet e korrupsionit në disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore.