13:17 / E Premte, 01 Dhjetor 2023 / S Z

Listat e gjata të pritjes, Kadrijaj: Kur pacientët thirren disa nga ta s’janë gjallë

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia të jap sqarime rreth listave të pritjes për pacientët në QKUK dhe në spitalet rajonale.

Kadrijaj i ka thënë Vitisë që të ia sqaroj se cila është strategjia e ministrisë që ai drejton, që sa më parë të ulet lista e pritjes për  pacientët.

“Ankesat e pacienteve janë për listat e gjata të pritjes për shërbime në QKUK dhe nëpër spitalet rajonale. Ka raste që kur pacientëve iu vjen koha për të marrë shërbimin dhe thirren nga  personeli shëndetësor, ata ndoshta s’janë fare gjallë. Kam kërkuar nga ministri të sqaroj sa a janë të gjata listat e pritjes për marrjen e shërbimeve shëndetësore. Ne po flasim për pacientet, s’po bëjmë politikë. Është dëshirë që pacientet të mos presin fare dhe ne neser mund të jemi pacientë të këtyre klinikave”, tha Kadrijaj.

E ministri Vitia tha se listat e  pritjes janë trajtuar me prioritet.

“Deri me datën 12 dhjetor është kërkuar nga drejtoret e klinikave, që ta kenë një plan të detajuar për zvogëlim të listes së pritjes. Për mbi një vit kanë listë të pritjes vetëm dy klinika, Kirurgjia Vaskulare dhe Ortopedia. Klinikat tjera kanë lista të pritjes  më pak se një vit”, tha ai.

Ndërsa tha se nuk ka lista të pritjes për rastet urgjente. Vitia më tej ka pohuar se nuk mund ai si politikan të shkoj dhe t’ua bëjë planin klinikave për largimin e listave të pritjes, por se një gjë të tillë e ka kërkuar nga drejtorët e klinikave.

 “Iu siguroj ju dhe qytetarët dhe kërkoj nga ju që të shkoni ta vertetoni, se rastet urgjente nuk presin asnjë ditë, e asnjë orë në QKUK as në spitalet e përgjithshme në regjione. Dhe unë kisha pas qejf si ju, po sikurse që kanë qef shumë ministra dhe në Kanadë dhe Gjermani në secilin vend ka lista për rastet jo urgjente.  Iu sigurova dhe iu siguroj se s’ka listë të pritjes për rastet urgjente. Është kërkuar plan i detajuar. Unë si politikan s’mund të shkoj të iu bëjë plane klinikave si ti largojnë listat e pritjes.  Nëse është mungesë stafi dhe  mungesë e aparaturave, ne  veprojmë”, tha ai./Indeksonline/