75 Mall Live Search
16:08 / E Premte, 26 Dhjetor 2025 / MSH1

Listat e pritjes në Kardiologji/ SHSKUK-ja del me njoftim për situatën aktuale

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është deklaruar lidhur me situatën aktuale të listave të pritjes në Klinikën e Kardiologjisë, duke theksuar një rritje të ndjeshme të volumit të punës dhe përmirësim të dukshëm në menaxhimin e pacientëve.

Sipas njoftimit zyrtar, falë angazhimit të shtuar profesional dhe organizativ, aktualisht në Klinikën e Kardiologjisë realizohen rreth 18 procedura në ditë, me qëllim të drejtpërdrejtë uljen e numrit të pacientëve në listat e pritjes.

Nga SHSKUK-ja thonë se para përfshirjes së çdo pacienti në listën e pritjes, dokumentacioni mjekësor shqyrtohet nga një komision profesional i përbërë nga mjekë dhe infermierë. Ky komision vlerëson urgjencën dhe gjendjen klinike të pacientit, duke siguruar që procedurat të kryhen sipas përparësive mjekësore dhe jo thjesht sipas radhës. Rastet urgjente trajtohen menjëherë dhe nuk përfshihen në listën e pritjes.

“Në Klinikën e Kardiologjisë janë të angazhuar rreth 40 kardiologë, prej të cilëve 16 janë të profilit invaziv, të kualifikuar për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve ishemike të zemrës, vendosjen e stentave dhe kryerjen e ndërhyrjeve të tjera të avancuara. Stafi mjekësor është i përkushtuar maksimalisht në rritjen e volumit të punës, pa dëmtuar sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore” thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Ky është njoftimi i plotë:

Klinika e Kardiologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njofton opinionin publik lidhur me situatën aktuale të listave të pritjes dhe dëshiron të sqarojë disa çështje thelbësore për një kuptim të drejtë dhe të plotë të kësaj teme.

Si rezultat i angazhimit të shtuar profesional dhe organizativ, vëllimi i punës në Klinikën e Kardiologjisë është rritur ndjeshëm. Aktualisht realizohen rreth 18 procedura në ditë, me synimin e drejtpërdrejtë për të ulur numrin e pacientëve në listat e pritjes.

Theksojmë se para përfshirjes së çdo pacienti në listën e pritjes, dokumentacioni mjekësor shqyrtohet nga një komision profesional, i përbërë nga mjekë dhe infermierë. Ky komision vlerëson urgjencën, gjendjen klinike dhe nevojën për ekzaminime shtesë, duke garantuar që procedurat të kryhen sipas përparësive mjekësore dhe jo sipas renditjes. Rastet urgjente nuk i nënshtrohen listës së pritjes dhe trajtohen menjëherë.

Në Klinikën e Kardiologjisë janë të angazhuar rreth 40 kardiologë, prej të cilëve 16 janë të profilit invaziv, të kualifikuar për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve ishemike të zemrës, vendosjen e stentave dhe kryerjen e ndërhyrjeve të tjera të avancuara. Stafi mjekësor është i përkushtuar maksimalisht në rritjen e volumit të punës, pa dëmtuar sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Bazuar në raportin e Klinikës së Kardiologjisë për vitin 2025, i cili përfshinë vetëm nëntë muaj pune, është arritur pothuajse niveli i vitit 2024 për sa i përket koronarografive, si dhe një volum shumë i lartë i vendosjes së stentave. Këto të dhëna dëshmojnë rritjen e intensitetit mujor të punës, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe një projeksion të qartë për tejkalimin e rezultateve vjetore deri në fund të vitit. Përkundër faktit se gjatë vitit të kaluar në listën e pritjes ishin 4,560 pacientë, aktualisht ky numër është ulur në rreth 2,000, çka dëshmon një rënie të ndjeshme të numrit të pacientëve në listën e pritjes.

Klinika e Kardiologjisë vazhdon të jetë e për kushtuar në ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjithë pacientët që kërkojnë shërbime në këtë klinikë.