75 Mall Live Search
12:07 / E Mërkurë, 14 Maj 2025 / mp

Lituania rrit pjesëmarrjen në KFOR – nga 5 në 60 trupa

Shteti lituanez ka konfirmuar se do të dërgojë trupa ushtarake në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR-it, bashkë me Gjermaninë.

Kjo u bë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi gjatë Ministerialit të Paqes së OKB-së në Berlin, ku Lituania riafirmoi angazhimin e saj për paqen globale, raporton Klankosova.tv.

“Është planifikuar një pjesëmarrje e re e përbashkët në operacionin ndërkombëtar në Kosovë së bashku me trupat gjermane. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare i ka paraqitur kuvendit për shqyrtim një projektrezolutë, e cila propozon rritjen e numrit të trupave lituaneze në operacionin ndërkombëtar KFOR, udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë nga 5 në 60. Duke rritur numrin e trupave në këtë operacion, Lituania po forcon bashkëpunimin me partnerin e saj strategjik Gjermaninë, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë”.

“Nëse kuvendi miraton projektamendamentin e rezolutës, një togë ushtarësh të Forcave të Armatosura Lituaneze do t’i caktohet kompanisë gjermane që merr pjesë në operacionin KFOR të NATO-s në Kosovë. Rotacioni i parë gjysmëvjetor i trupave lituaneze është planifikuar të vendoset këtë vit”, ka thënë Ministria Lituaneze e Mbrojtjes.

Për këtë ka reaguar edhe misioni gjerman në NATO, duke shkruar shkurtimisht: “Më të fortë së bashku”.