11:57 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Në kushte të jashtëzakonshme nis verifikimi i votave të ardhura nga Serbia të cilat ndodhen në Ministrinë e Transportit

Brenda objektit të Ministrisë së Transportit në Prishtinë ka nisur shqyrtimi i votave të ardhura nga Serbia, duke u bërë kështu vërtetësia e tyre, nëse zarfet në të cilat janë vendosur ato kanë përbërje helmuese.

Ky verifikim po bëhet në kushte të jashtëzakonshme, derisa Indeksonline është në vendin e ngjarjes.

Valmir Elezi, zëdhënes në KQZ ka thënë pë Indeksonline se vlerësimi i zarfeve është i domosdoshëm pasi që ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon.

“Kemi filluar me shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia. Ky vlerësim është i domosdoshëm pasi ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon. Pra, që ta dijmë nëse fletëvotimi i dërguar është nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit. Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara apo të refuzuara. Vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”.

Tutje Elezi ka shtuar se për këtë proces janë në kontakt dhe bashkëpunim me institucionet tjera.

“Kemi edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës lidhur me këtë. Pra, edhe në pajisje logjistike”.

Kujtojmë që pas hapjes së këtyre zarfeve u helmuan 29 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, derisa dymbëdhjetë pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi që janë ankuar për reaksione alergjike teksa po verifikonin zarfet me vota të ardhura nga Serbia, janë liruar të hënën që kaloi, nga spitali.

Mostrat e zarfeve me votat nga Serbia, sipas Prokurorisë së Kosovës, kanë përfunduar për ekzaminim në një laborator të një shteti evropian, por nuk tregohet se në cilin vend./Indeksonline/