12:46 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Nuk ka forcë që e detyron Kosovën të pajtohet me ndarjen e saj (Video)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka folur për zhvillimet e fundit në vend.

Ai ka thënë se nuk duhet të vonohet në arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë për njohje reciproke, raporton Indeksonline.

Sipas tij, bota nuk duhet të jetë e para në agjendën e Kosovës, por se vendi duhet së pari të merret me çështjet e saja të veta.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Thaçit:

Arritëm të bindim botën se Kosova është vend serioz , Kosova arriti marrëveshje me botën ndërkombëtare dhe jemi dëshmitar që Kosova është e lirë, sovrane dhe e pavarur, e njohur ndërkombëtarisht.

Nuk jemi vendi i parë dhe i vetëm që kemi zhvilluar luftë me ndonjë vend tjetër, Serbia ka zhvilluar luftë edhe me vende tjera, me Bosnjën e Kroacinë.

Kemi arritur të tregojmë vendosmëri që të jemi sa më shpejt pjesë e familjes euroatlantike.

Sa më tepër vonohemi në këtë rrugëtim, aq më i rëndë do të jetë dialogu.

Sa më shumë vonohemi për tu anëtarësuar në NATO dhe BE, aq më shumë do zbehet pavarësia jonë.

Në asnjë rrethanë nuk mund të mbesim peng i politikave ditore, personale, apo e një individi të caktuar.

Jemi dëshmitarë të opinioneve të ndryshme, të debateve e reagimeve të ndryshme, e ne kemi punuar gjithmonë për debate të rregullta, konsultative që të gjendet një zgjedhje sa më e mirë dhe informuese e transparente.

Si president i vendit, edhe njëherë u siguroj qytetarët se nuk do të ketë forcë që do të detyroj Kosovën të diskutoj, e lëre më të pajtohet me ndarjen e saj,

E përsëris dhe e them për të disatën herë, unë si presidenti  vendit, me gjithë përgjegjësit e mia morale, institucionale, kushtetuese iu siguroj, lëre të diskutohet, por as të pajtohet me ndarjen e Kosovës.

Janë shqetësues zërat që flasin gjëra të tilla, janë shqetësuese kur për gjërat e tilla po fliten edhe prej njerëzve që kanë legalitet në institucionet e vendit.

Ritheksoj, kurdo që fliten gjëra të tilla e prej kujtdo, ata që përhapin lajme të tilla, me apo pa vetëdije, po sensibilizojnë idenë e kahmotshme  të Serbisë për ndarjen e Kosovës.

Ne do të punojmë fuqishëm që marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të jetë në përputhshmëri me vullnetin qytetarëve, me aspiratën e NATO-së dhe BE-së.

Do të ketë kuptim vetëm kur të përmbyllet me marrëveshjen historike të njohjes finale Kosovë-Serbi dhe anëtarësimin e menjëhershëm të Kosovës në BE, NATO dhe gjithë organizmat tjerë ndërkombëtarë.

Ka zëra që nuk është koha e dialogut, as e marrëveshjes, por është e kundërta. Ne do të arrijmë marrëveshje sa më parë që është e mundur.

Nëse dialogu dështon shkaku i Kosovës, mos mendoni se po flas me zërat që flasin gjëra të tilla, do të shënojmë një autogol.

Ne nuk kemi kohë për të humbur, kjo nuk është çështje e individit, por si bartës i institucioneve kemi obligim të shtyjmë proceset përpara dhe të arrijmë marrëveshje finale.

Ne u vonuam së themeluari ushtrinë në vitin 2014, dhe tani jemi në një proces të stagnimit dhe vonesës që askush nuk e di kur do të arrijmë atë objektivë që na ishte ofruar në vitin 2014.

Nëse atëherë do të themelonim ushtrinë, tani do të ishim në stacionin e fundit për tu anëtarësuar në NATO.

Nuk duhet të vonohemi siç u vonuam me demarkacionin tri  vite.

Bota po ndryshon, e jo gjithmonë vetëm për të mirën e Kosovës. Ne duhet të merremi me vetveten para së gjithash, pastaj me të tjerët.

Ne duhet tua lehtësua me veprimet tona, angazhimet e detyrat tona mbështetjen vendeve mike, e jo tua vështirësojmë.

Mos të vonohemi tani, siç u vonuam me demarkacion e ushtri

Bota nuk na pret, po na shikon e nganjëherë edhe po dëshpërohet, por nuk mund të vëmë botën në agjendën tonë

Mos të humbim këtë rast dhe mundësi historike. Vonesa e marrëveshjes finale me Serbinë. /Indeksonline/