Lladrovci deklarohet për rastin në Drenas, tregon veprimet të cilat i kishte ndërmarrë ndaj mësimdhënësit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka folur për rastin e rëndë të 16-vjeçares e cila dyshohet të jetë dhunuar nga një mësimdhënës e më pastaj edhe nga një polic hetues.
Lladrovci ka shprehur keqardhje për rastin në fjalë dhe ka inkurajuar të gjitha institucionet që ta ndjekin këtë rast deri në fund.
Ai ka thënë se në kohën kur ishte hapur rasti ndaj mësimdhënësit pas deklaratës së nxënëses, ai e kishte pezulluar atë nga puna, mirëpo kanë qenë vendimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ato që e kanë kthyer atë sërish në punë, pasi që kishin pushuar hetimet dhe se nxënësja e kishte tërhequr deklaratën e dhënë në polici.
Sipas Lladrovcit, në mesin e 10 mijë policëve sigurisht se ka edhe polic që nuk duhet të jenë në shërbim të qytetarëve.
Ai thotë se asnjë ankesë nuk e ka pasur deri tani për ndonjë rast të tillë.
“Unë iu bëjë thirrje qytetarëve të Komunës së Drenasit që të besojnë në policinë e tyre”, ka deklaruar Lladrovci./Indeksonline/