Lladrovci: Keqbërës me libreza të partisë, mos e pengoni rritjen e PDK-së
Kryetari i Drenasit, Ramiza Lladrovci përmes një statusi në rrjetin social në Facebook i ka dal në përkrahje kryetarit të ri të PDK-së, Bedri Hamza.
Ai ka thënë se keqbërësit me libreza të partisë nuk duhet ta pengojnë rritjen e kësaj partie.
Postimi i plotë:
Bedri Hamza nuk është vetëm!
Në takimet e ditëve të fundit me personalitetet me vlera të dëshmuara, komunikimin me miqtë dhe në veçanti opinionet e brendshme që po e dominojnë PDK-në, emërimi i Bedri Hamzës del të jetë më se i qëlluar.
Pres lidershipi i z. Hamza ta ketë ndikimin e fuqishëm në frymën e fitores, duke filluar nga selia e partisë, fryma përbashkuese me subjektet e mundshme partnere dhe evitimi i përgjegjësive të fushatës për humbësit serik.
Një gjë është e sigurt, Bedri Hamza nuk është vetëm!
Politika si sport i rëndë, vetvetiu nuk po arrin ti largojë disa pionierë-veteranë që profesion e kanë pritjen për emërim nga subjekti politik. Pionierët-veteranë, nuk po e duan pensionimin, megjithëse do t’ju bënte mirë krijimi i ndonjë OJQ-je ose instituti për poste.
Kah po shkon PDK-ja?
Përgjigjen duhet ta japin ata që duan ndryshim, por, nuk hapin rrugë dhe nuk japin përgjegjësi për ndikimin e tyre në ecuritë negative, ata që e gjuajnë gurin dhe fshehin dorën. Përgjigjen duhet ta japin ata që gabimet dhe dështimet e veta i shkarkojnë në Drenicë, duke e trajtuar atë si zonë “të pa urbanizuar”.
Bedriu është lider i duhur dhe pres ta përkrahin qytetarët pa dallim. Keqbërësit me libreza partie do të bënin mirë të heshtin dhe të mos e pengojnë rriten e PDK-së, ndryshe, dëmi është te dera.
Askush nuk ka të drejtë ta dëmtojë partinë e themeluar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes. Në këto rrethana, gjuha e vetme në përdorim do të duhej të jetë gjuha e kampionit!/Indeksonline/

