15:49 / E Enjte, 22 Shtator 2022 / k.v

Lladrovci: Kur mora lajmin e kobshëm për Fehën e Xhevën, mesazhi im i parë për familjen ishte se nuk guxon të pikë lot

Sot bëhen 24 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi- Lladrovci, po ashtu njëra ndër luftëtarët e para të UÇK-së.

Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë.

Vëllai i Fehmiut, Ramizi, i cili sot është edhe kryetar i Komunës së Drenasit, ka kujtuar 22 shtatorin e vitit 1998, datë kjo e dhimbjes së pakufishme për nënën e tyre, babën, motrat e tërë familjen.

Lladrovci thotë se pasi kishte marrë lajmin e kobshëm, atë ditë të rëndë, mesazhi i parë për familjen dhe të afërmit ishte se nuk guxon të pikë lot për Fehën e Xhevën, amblemat e familjes dhe kombit. Liria, sipas tij, do të jetë koha kur do të shprehim dhimbjen dhe dashurinë për ta dhe dëshmorët e kombit, lufta për çlirim vazhdon.

Postimi i Lladrovcit:

E marta e 22 shtatorit të 1998-ës, do të jetë datë e dhimbjes së pakufishme, për Nanën Ki, Babën Tush, për Emriun, motrat dhe tërë familjen.
Pasi mora lajmin e kobshëm, atë ditë të rëndë, mesazhi im i parë për familjen dhe të afërmit ishte se nuk guxon të pikë lot për Fehën e Xhevën, amblemat e familjes dhe kombit. Liria do të jetë koha kur do të shprehim dhimbjen dhe dashurinë për ta dhe dëshmorët e kombit, lufta për çlirim vazhdon.
Sot, punojmë çdo ditë që emri i Fehës dhe Xhevës të lartësohet me veprat tona, duke punuar për idealet që i kishin ata për lirinë, për barazi e gjasa të barabarta, kushte e mirëqenie për qytetarët tanë.
Sot, nga të gjitha trojet etnike, së bashku me kryetarin Krasniqi, deputetë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë, shokë, miq e dashamirë, asamblistë e zyrtarë të të gjitha niveleve, vendosëm lule dhe kemi bërë homazhe në Shesh, para shtatores së Fehës e Xhevës dhe kemi vazhduar në Memorialin e dëshmorëve në Gllanasellë.
Këtu nderuam heroin Fehmi Lladrovci, heroinën Xhevë Krasniqi Lladrovci, heroinën Fatime Hetemi dhe dëshmorët Shefqet Zeka, Behxhet e Milazim Karaxha dhe Hamit Lladrovci.
Po ashtu, me pritje modeste në shtëpi, mirëprita miqtë për të nderuar kujtimin për më të dashurit tanë.
Në këtë ditë, i falënderoj të gjithë ata që na u bashkuan, për të përkujtuar më të dashurit tanë, emblemat e UÇK-së dhe kombit në rrugën e atdhedashurisë, Fehën e Xhevën.
Në veçanti e falënderoj Bacën Bedri, njohësin më të mirë të jetës dhe veprës së heroit dhe heroinës, Fehës dhe Xhevës, atdhetarin e shquar, autorin e librit “Përjetësia e dyfishtë”, për botimin e dytë të ripunuar, me rastin e përvjetorit të 24-të të rënies heroike të Fehës e Xhevës.
Miq, dashamirë, bashkëveprimtarë, ju faleminderit. Liria e Kosovës është fati ynë më i madh!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!