75 Mall Live Search
12:42 / E Premte, 15 Gusht 2025 / S Z

Lladrovci: Memli Krasniqi s’më do, më tha lëshoje pozitën se kam shumë presion

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka folur për presionet që ka marrë nga PDK-ja për të lënë pozitën e kryetarit.

Lladrovci në Teve1 ka treguar se disa anëtarë të PDK-së nuk e duan në kryesi, duke e ndikuar edhe qëndrimin e kryetarit të partisë, Memli Krasniqi.

“Unë nuk besoj që PDK-së i pengon me pas një kryetar shembull, por një grup i caktuar të kryesisë në PDK nuk e dojnë që punojnë me duart të pastërta”, ka thënë Lladrovci.

Ai shtoi se nuk është çështje personale vetëm me kryesinë, por me strukturat më të gjera të partisë:
“Mu ka disa që nuk më dojën në PDK, por po i bie që nuk më do kryetari i Partisë Demokratike, sepse unë kam thënë edhe në emisione të tjera: bonu lider, dil e thuaj, ‘nuk e dua më Lladrovcin në qeverisje’, e jo të shpërndaj përgjegjësinë tek 43 anëtarët e PDK-së”, ka shtuar ai.

Lladrovci gjithashtu ka përshkruar kërkesën direkte nga Memli Krasniqi:
“Kryetari u dashtë me ardh edhe me më thanë a po vazhdon dhe për një mandat, se na jemi të kënaqur me punën tënde, e jo me ardh me thanë a po e lëshon se kom shumë presion për Drenasin. Ai u ndiku edhe nga eksponentë të komunave të tjera”, ka treguar Lladrovci.

Deklaratat e tij vijnë pas vendimit të kryesisë së PDK-së për ta përjashtuar nga lista e kandidatëve për kryetar të Drenasit dhe pas krijimit të subjektit të tij politik “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, që do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.