75 Mall Live Search
22:41 / E Enjte, 21 Gusht 2025 / Burim

Lladrovci ngushëllon familjen Gashi pas humbjes tragjike të 19-vjeçarit Fatlum Gashi

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen Gashi nga Llapushniku, pas ndarjes nga jeta të Fatlum Gashit, 19-vjeçarit i cili ndërroi jetë mbrëmë nga plagët e marra në aksidentin tragjik që ndodhi më 18 gusht në rrugën Prishtinë–Pejë.

Fatlumi ishte duke u trajtuar në QKUK prej ditësh, por përkundër përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë.

Ky aksident i rëndë kishte marrë jetën e prindërve të tij, Shemsi dhe Ajshe Gashi, duke e kthyer ngjarjen në një tragjedi të trefishtë për familjen dhe gjithë komunitetin.

“Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, me pikëllim të thellë ka marrë lajmin e ndarjes nga jeta të të riut Fatlum Gashi nga Llapushniku, vetëm 19-vjeçar, i cili ndërroi jetë sonte pas plagëve të marra në aksidentin e rëndë që ndodhi ditë më parë. Ky aksident tragjik mori jetën edhe të prindërve të tij, Shemsi dhe Ajshe Gashi, duke e kthyer në një dhimbje të pamasë për familjen Gashi dhe gjithë komunitetin tonë. Kryetari Lladrovci ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Gashi, duke u uruar forcë dhe durim në përballimin e kësaj tragjedie të trefishtë. U prehtë në paqe Fatlumi, së bashku me prindërit e tij! 🙏. Ngushëllime të sinqerta”, thuhet në njoftimin në Facebook nga Komuna e Drenasit.