19:39 / E Premte, 10 Qershor 2022 / MSH

Lladrovci pas takimit në Prizren: Po të jemi të bashkuar, qielli është kufiri ynë!

Me rastin e takimit të kryetarëve të bashkive dhe komunave të të gjitha trojeve shqiptare, të mbajtur në Prizren, kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, ka shkruar një opinion në rrjetin social.

Pasi ka vlerësuar 144 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, z. Lladrovci ka cekur “Megjithëse të dëmtuar rëndë nga konferencat që vijonin të tregtonin mbi kurrizin tonë, qenia jonë kombëtare vijon të ecë përpara, krah aleancës më të fuqishme në botë dhe vlerave euro-atlantike. Për këtë, jemi mirënjohës ndaj të gjithë kontribuuesve, nga anëtarët dhe ushtarët e Lidhjes së Prizrenit, te Pavarësia në Vlorë, te Fan Noli, Presidenti Wilson, UÇK, Pavarësia e Kosovës e deri sot, te Presidenti Biden.

“Falënderoj mikpritësit dhe bashkorganizatorët, kolegët e mi veç e veç, duke ritheksuar se po të jemi të bashkuar, qielli do të jetë kufiri ynë! Rroftë kombi shqiptar dhe vlerat më të çmuara të identitetit përbashkues, miqësisë tonë me ShBA-në dhe aleatët euro-atlantik”, ka theksuar Lladrovci.

Opinioni i tij i plotë:

Opinion pas takimit me homologët e mi të të gjitha trojeve tona, në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare

Në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, nga Drenasi i Drenicës së kombit shqiptar, me përshëndetjet më të ngrohta, urova zhvillimin e takimit me sukses, me dëshirën më të madhe që të sundojë optimizmi, fryma e bashkimit dhe bashkëpunimit, me të gjithë kryetarët e bashkive shqiptare, të cilët ishin por edhe që munguan dhe të gjithë ata që lirinë e kanë në zemër.

Në ditën e përkujtimit të historisë tonë të re, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, jemi mbledhur për herë të parë në këtë takim, në Prizren, kryeqytetin historik e shpirtëror të kombit tonë, për të dëshmuar se ideja e Rilindjes kombëtare Shqiptare, për ruajtjen e qenies, kombit dhe trojeve tona nga gllabëruesit, mbijetoi.

Kjo ide e bashkimit të katër vilajeteve, në një trung të pandashëm, këtu në Prizren, e inspiruar nga atdhetarët më të devotshëm, ishte domosdo e kohës përball kanosjes dhe orekseve të fqinjëve dhe perandorive. Lidhja ishte përgjigje ndaj rreziqeve që i rrinin mbi krye kombit tonë.

Katër vilajetet shqiptare nën Perandorinë Otomane, konsideroheshin tokë pa zot, plaçkë për të përmbushur orekset ruso-serbe për daljen e tyre në ujërat e ngrohta, duke kërcënuar diplomacinë e shteteve evropiane në dëmin e trungut dhe interesit tonë nacional. Diplomacia evropiane e asaj kohe, fatin e kombeve të vogla e trajtonte padrejtësisht, nën kërcënimin e armëve, kurtheve e aleancave që tokat shqiptare i trajtonin si mall për këmbim.

Disa perandori u thyen, disa nga shtetet e mëdha pësuan ndryshime, por, orekset ndaj tokave tona mbeten të mëdha deri në ditët e sotme. Sot, si dje, si nesër, ne do të qëndrojmë, ashtu siç qëndroi Skënderbeu, ashtu siç qëndroi Adem Jashari.

Ne, sot, këtu e gjithmonë, do të dëshmojmë se ekzistojmë si komb, si njësi me unitet, vullnet e kontribut për të qenë të barabartë me kombet tjera të lira.

Megjithëse të dëmtuar rëndë nga konferencat që vijonin të tregtonin mbi kurrizin tonë, qenia jonë kombëtare vijon të ecë përpara, krah aleancës më të fuqishme në botë dhe vlerave euro-atlantike. Për këtë, jemi mirënjohës ndaj të gjithë kontribuuesve, nga anëtarët dhe ushtarët e  Lidhjes së Prizrenit, te Pavarësia në Vlorë, te Fan Noli, Presidenti Wilson, UÇK, Pavarësia e Kosovës e deri sot, te Presidenti Biden.

Sot, kujtojmë me nderim, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, nga viti 1878 e këndej. Kujtojmë me nderim ideatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kujtojmë me nderim gjeneratat e tëra që ranë në vijat e frontit pa dallim, duke sakrifikuar e përpjekur me synim që të mbrojnë kombin shqiptar.

Kujtojmë me nderim, luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, kujtojmë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, të cilët në tri luftërat, dëshmuan përkushtimin për çlirim dhe vlerën e kombit tonë. Kujtojmë me nderim të gjithë dalëzotësit e kombit që dëshmuan se liria është më e shtrenjtë se jeta.

Kujtojmë këtu, në Prizrenin historik, Komandantin tonë legjendar, Adem Jasharin, si personifikimin e një kombi që do liri, synim të cilin e mbështetën aleatët tanë dhe tërë bota demokratike.

Uroj që nga Prizreni, të dalin ide, propozime dhe energji të çdo nisme që shpie përpara për zhvillim ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe bashkëpunimin i cili është në dobi të të gjithë qytetarëve.

Në këtë takim të parë, si bashkorganizator në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, uroj me dëshirën më të madhe të jetë takim tradicional, i orientuar drejt fuqizimit të energjive tona, brenda vlerave euro-atlantike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë në BE.

Uroj të thellojmë mirëbesimin, bashkëpunimin e komunave-bashkive tona, njëherësh edhe bashkimin për interesa madhore, duke i kontribuar promovimit të vlerave, gatishmërisë për fqinjësinë dhe mirëkuptimin me të gjithë ata që na konsiderojnë të barabartë e të gatshëm të ushqejmë vlerat e njëjta, në rrugën euro-atlantike.

Falënderoj mikpritësit dhe bashkorganizatorët, kolegët e mi veç e veç, duke ritheksuar se po të jemi të bashkuar, qielli do të jetë kufiri ynë!

Rroftë kombi shqiptar dhe vlerat më të çmuara të identitetit përbashkues, miqësisë tonë me ShBA-në dhe aleatët euro-atlantik!