17:06 / E Mërkurë, 17 Gusht 2022 / AR

Lladrovci përkujton heroin Fazli Greiçevci: Ai ligjëronte për lirinë!

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në përvjetorin e vrasjes së heroit Fazli Greiçevci, e ka përkujtuar atë me vlerësimet më të larta, si mësuesin, edukatorin, poetin dhe atdhetarin e paepur, i cili u bë shembull drite në kohën e territ më të rëndë.

“Mësuesi dhe poeti shembullor nga Sankofci, tash hero i Kosovës, Fazli Greiçevci, pjesëtar i grupit atdhetar që e udhëhiqte Adem Demaçi, nga mosha e re ligjëronte për lirinë, mbillte farën e lirisë që do të vije. Ai do të bëhej model i iluministit atdhetar që dijet e tij i shpërndante në popull, në veçanti për nxënësit e tij, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë:

Në përvjetorin e kalimit në amshim të heroit Fazli Grajqevci, kujtojmë përgjithmonë me nderimet më të larta, mësuesin, edukatorin, poetin dhe atdhetarin e paepur, i cili u bë shembull drite në kohën e territ më të rëndë.
Ishin vitet e ’60-ta, kur atdhetarët e kombit nën ish pushtetin okupator, vazhduan të krijojnë organizatat atdhetare për veprim kundër atij pushteti, ishte koha kur gjuha dhe simbolet e kombit shqiptar ndiqeshin, kohë kur atdhetarët dhe familjet e tyre dënoheshin, torturoheshin dhe vriteshin. Kohë kur okupimi kishte arritur kulmin dhe shqiptarët përjetonin tërë represionin e okupatorit.
Mësuesi dhe poeti shembullor nga Sankofci, tash hero i Kosovës, Fazli Greiçevci, pjesëtar i grupit atdhetar që e udhëhiqte Adem Demaçi, nga mosha e re ligjëronte për lirinë, mbillte farën e lirisë që do të vije. Ai do të bëhej model i iluministit atdhetar që dijet e tij i shpërndante në popull, në veçanti për nxënësit e tij.
Nxënës të tij, nuk ishin vetëm ata që i mësonte në klasat e tij si Feha me shokë dhe heronj tjerë të kombit, por edhe model i atdhetarit për secilin shqiptar që jetonte në ish Jugosllavi. Vrasja e tij nga hetuesit gjakatar, vetëm sa e fuqizuan idenë e tij për liri, për flamur, për shtet.
I përjetshëm është kujtimi për mësuesin e kombit, poetin dhe atdhetarin, Heroin e Kosovës, Fazli Greiçevci!