10:32 / E Diele, 03 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Lladrovci: Së shpejti nis fizibiliteti për stadiumin olimpik

Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Drenasit, Ramiz LLadrovci, ka shpalos projektet të cilat do t’i realizojë në mandatin katër vjeçar.

Ndërtimi i stadiumit, parku i biznesit në Drenas, investimet në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi, janë disa prej prioriteteve që ka Lladrovci në këtë mandat të tij qeverisës.

Ai këto i ka bërë të ditura në një intervistë për KosovaPress.

“Projekti që shumë shpejt pritet me filluar, është projekti i rrugës me katër korsi. Nga Skenderaj drejtim të Drenasit. Tashëm është shpall tenderi pritet të përmbyllet dhe të zgjidhet kompania fituese. Është një projekt që e ndihmon zhvillimin e komunës, është një rrugë e cila do ta lidh rajoni e Mitrovicës, rajonin e Istogut me rajonin e Drenicës-Skenderajt edhe të Drenasit, që pastaj vazhdon drejtë rrugës së autostradës ku e lidhë në dy anët e Kosovës po edhe me Komunën e Shtimes, si dhe në drejtim të Pejës“, tha Lladrovci.

Po ashtu, i pari i Komunës së Drenasit, ka bërë të ditur se shumë shpejtë do të hapet tenderi për ndërtimin e shkollës profesionale në Drenas, dhe po ashtu brenda këtij mandati do të ndërtojë edhe shkollën fillore në këtë komunë.

“Ne jemi para përfundimit edhe në arsim edhe të shpalljes së tenderit që e ka ministria. Tenderit të shkollës profesionale në Komoran dhe shkollës fillore 9-të klasëshe në Fushticë të naltë. Ato do të ndërtohen janë projektet të nivelit qendrorë të Ministrisë së Arsimit e cila ia ka kaluar Ministrisë së Administratës Publike dhe ne presim shumë shpejtë që të përfundon, të shpallet tenderi në këto dy shkolla. Shkollën profesionale mendoj se brenda 2 vjetëve sepse është projekt 2 vjeçare. Ndërsa shkollën fillore besoj diku në fund të vitit 2018-të ish dashtë me pasur. Po kjo varet krejt prej shpejtësisë së punimeve të tenderit si e shpall Qeveria”, tha ai.

Lladrovci ka shtuar se do të zgjerojë investimet në Parku e Biznesit në Drenas, ku pret që të përkrahet nga Banka Botërore dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

 

“Parku i biznesit Drenasi 2 prej 62 hektarësh. Unë jam anëtar i bordit, bashkë me anëtar të tjerë të MTI-së, kemi bisedime si me Bankën Botërore dhe me institucionet tjera për t’i gjetë mjetet për ta ndërtua sa më shpejt infrastrukturën e parkut të biznesit në mënyrë që ne të mund t’i thirrmi investitorët e huaj që të vijnë të investojnë”, tha Lladrovci.

Lajmë të mirë ka dhënë edhe për sportdashësit ku ka thënë se janë në përgatitje të terrenit për stadiumin olimpik, i cili sipas tij, shpejt do të bëhet hapja e tenderit për studim të fizibilitetit.

 

“Po ashtu ne e kemi përgatit terrenin për stadiumit olimpik që besoj që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës do ta shpallin shpejt tenderin e fizibilitetit. Që ata ta bëjnë së pari fizibilitetin e stadiumit dhe pastaj presim nga donatori hungarez që të investoj dhe ta kemi sa më shpejt stadiumin olimpik të Kosovës, me gjitha objektet tjera ndihmëse që do t’i ketë ky stadium olimpik. Stadiumi nuk bëhet për qytetarin e Drenasit, po bëhet për qytetarët e Kosovës. Është afër Aeroportit të Prishtinës, është 15-të minuta prej qendrës së Prishtinës larg është në qendër të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk ka me harxhua asnjë cent për infrastrukturë që ta qoj rrugën deri te stadiumi sepse rruga ekziston, autostrada ekziston, nuk ka me harxhua për ta dërguar elektrifikimin sepse tashmë tendosini i lartë 110 kilovatësh është në atë zonë. Nuk ka me harxhuar as për kanalizim të ujërave të zeza dhe as për ujësjellës. K ëto janë faktor ndihmës sepse faktori kryesor se pozita gjeografike është pozita më e mirë e mundshme në Kosovë, që i lidh gjitha qytetet e Kosovës pa e ngarkua asnjë qytet“, tha Lladrovci.

Ai beson që deri vitin e ardhshme të përfundojë pjesa e fizibilitetit të stadiumit e pastaj janë procedurat tjera të cilat do të jenë siç janë shpallja e tenderit dhe vazhdimi i punimeve në stadium e që e beson që brenda 3-4 vitesh të jetë i gatshëm për lojërat ndërkombëtare.