75 Mall Live Search
14:30 / E Mërkurë, 06 Dhjetor 2023 / k.v

Lladrovci: Shpifjet e ngacmimet nga profilet e rrejshme, janë të identifikueshme dhe të dënueshme

Me rastin e zbardhjes së autorit të profilit “Floralba Demaku”, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar me një status në fb, duke realizuar premtimin e dhënë gjatë fushatës se do ta publikoj emrin e mbiemrin e autorit.

Zëri ndryshe dhe opozitar i jep dinamikë punës e zhvillimit dhe nuk ka bir nane që e ndalon atë. Koha kur të gjithë kanë qenë në një parti, kurrë nuk do të kthehet, por, secili, duhet ta dijë se shpifjet e ngacmimet nga profilet e rrejshme, janë të identifikueshme dhe të dënueshme, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë i tij në fb:

Është e pakëndshme të ballafaqohesh me veglat në vend se me autorët e vërtetë të fyerjeve, shpifjeve dhe ngacmimeve, nga dhjetëra profile të rrejshme në fushatën e vitit 2021.

Dua ta veçoj një foto me koment për “ndershmëri”. Në foto jam unë, ish Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla dhe kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

Në komente, na quajtën “tradhtarë”, Azem Syla, si “shef i Nazim Bllacës dhe Fahredin Gashit”, Abelard Tahiri si “i biri i spiunit të Serbisë” dhe unë sikur e kam “çuar” Thaçin në Hagë. E di se kam kundërshtarë, por ishte e dhimbshme se gjatë fushatës sulmohej edhe ish Komandanti i UÇK-së. Me shefin e portalit që ka publikuar lajmin burimor, pres po ashtu të ballafaqohem në gjyq për shpifje.

Gjysma do t’i falej “ngacmuesit” nëse e denoncon “ideologun” apo “bosat” e PDK-së nga Drenasi ose Skenderaji që kanë përkrahur publikimin ku fyhet Azem Syla. Fundja, a i ka kërkuar dikush falje “Dajës”, për shpërndarjen e lajmit me fyerje.

Ky reagim është realizim i premtimit që ia kam dhënë “Floralba Demakut” (Artian Krasniqi), kur me sms, i kam shkruar: “unë kam me ta gjete edhe emnin edhe mbiemnin, po dije, kam me te ndjek me ligj, deri në fund. Ftyren tane te vertete ka me msue opinioni, per burrninë e veprat tua, dije, na kemi me u pa në gjyq por ti ftyr ski me pase”.

Reagimi nga disa eksponentë që përfaqëson ngacmuesi, është për shqetësim. Në vend se të shprehin kërkimfalje dhe të mos përsëritet vepra, disa prej tyre, ende i japin përkrahje veprës së dënuar nga Gjyqi me vendim të formës së prerë. Kam pritur e pres që opozita të distancohet nga dezinformata, shpifja dhe ngacmimet nga profilet e rrejshme.

Si kryetar, si prind e gjysh, ndjej keqardhje për “ngacmuesin” i cili ra pre e “ideologëve”, ndonjëri tashmë e quan me emër kafshe, i cili në vend të qortimit e përkrah për veprën e dënueshme.

Zëri ndryshe dhe opozitar i jep dinamikë punës e zhvillimit dhe nuk ka bir nane që e ndalon atë. Koha kur të gjithë kanë qenë në një parti, kurrë nuk do të kthehet, por, secili, duhet ta dijë se shpifjet e ngacmimet nga profilet e rrejshme, janë të identifikueshme dhe të dënueshme.