10:06 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / OSH

Lladrovci thotë se është i paarritshëm: S’kam dilemë për fitore, me të gjitha forcat kemi lëvizur çdo gur

Përgjatë vitit të ardhshëm pritet të mbahen zgjedhjet lokale, në nivel të vendit.

Ndërkohë që disa prej kryetarëve aktualë, pritet të rikandidojnë për një mandat tjetër.

Është kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili pret vlerësim maksimal për qeverisjen e tij.

“Ende është herët për kandidaturë, megjithëse është premtuar se do të dalin emrat e kandidatëve të PDK-së për kryetarë komunash. Pres vlerësim maksimal dhe pa dyshim, gjithsesi, edhe nga partia, për mandatin e dytë. Kemi dëshmuar se jemi komuna me performancën më të mirë në Kosovë dhe më vjen mirë që këtë e vlerësojnë edhe qytetarët”, ka thënë ai në një bisedë për IndeksOnline.

Lladrovci thotë se nuk ka asnjë dilemë për fitoren e tij.

“Jo, në asnjë rast nuk kam frikë as kam dilemë për fitoren, komunën e Drenasit e kemi lëvizur përpara, në të gjitha segmentet e pushtetit lokal, me një qasje shembullore në shërbim të qytetarit, me projekte dhe llogaridhënie të shkëlqyer. Humbja nuk është opsion”, ka theksuar ai.

Derisa flet për punën dhe përkushtimin e tij në këtë komunë, Lladrovci thotë se ka shënuar shumë të arritura për mirëqenien dhe përspektiven e qytetarëve.

“Qytetari i komunës së Drenasit, i ka pa dhe prek me dorë, tërë përkushtimin tonë, në çdo lagje, fshat e qytet, ku me të gjitha forcat, kemi lëvizë çdo gur për të ngritur mirëqenien dhe perspektivën për komunën tonë. Kemi shumë të arritura dhe është vend i kufizuar për të përcjellë të gjithë punën që e kemi bërë, por, gjithsesi, qytetari është sovrani dhe ia besoj atij vlerësimin për mandatin e parë dhe të dytë”, tha ai.

Sipas tij, qytetarët e Drenasit janë të kënaqur dhe krenarë me punën që ai bën si kryetar.

“Qytetarët nga ajo që i kam pritur në komunë, në takime, në debate dhe gjithandej, janë të befasuar me tërë angazhimin tonë, sepse, kam premtuar se fjalët i bëj vepra. Këtë punë tonën, për tri vjet radhazi kemi qenë në kreun e komunave për performancë, ndërsa për 2019, më e mira. Ata, gjithsesi janë krenar, andaj i falënderoj për bashkëpunimin dhe kërkesat e vazhdueshme për të çuar përpara interesin e tyre, me kapacitetin që kemi. Ata, i kam pasur dhe i kam vlerësuesit më të mirë”, shtoi Lladrovci.

Lladrovci thotë se vizioni dhe përkushtimi për të zbatuar ligjin e bën të paarritshëm.

“Vizioni im, përkushtimi për ta zbatuar ligjin dhe vendosmëria për ta përmirësuar mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim, më bën të paarritshëm. Në veçanti kam pasur parasysh barazinë para ligjit, gjasat dhe mundësitë e barabarta, si dhe zbatimin e ligjit pa kompromis, kushdo qoftë ajo apo ai”, vlerëson ai. /IndeksOnline/