19:46 / E Enjte, 02 Maj 2019 / indeksADMonline

Lladrovci tregon pse nuk ka aplikuar për kryetar të PDK-së në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci përmes një shkrimi në llogarinë Facebook në lidhje me mos kandidaturën e tij për kryetar të degës së PDK-së në qytetin ku udhëheq.

I pari i Drenasit ka thënë se nuk ka sfidë për proces, por që nuk ka nuk ka pretendime.

Madje Lladrovci i është kundërpërgjigjur edhe një medium, i cili sipas tij po dezinformon publikun.

Ky është postimi i tij i plotë:

Nuk kam sfidë për proces zgjedhor për degën e PDK-së në Drenas, sepse fare nuk kam aplikuar për kryetar dege.

Prej më shumë se dy vjet, që nga marrja e mandatit të Kryetarit të Komunës së Drenasit, kam deklaruar thjeshtë dhe qartë, nuk kam pretendime për ta udhëhequr degën e PDK-së në Drenas.

Se nuk do të kandidoj për kryetar të Degës së PDK-së, e kam thënë me dhjetëra herë, por, keqbërësit nuk ndalen duke bërë matematika të pista dhe të lakojnë emrin tim, për të krijuar mjegull në Drenas.

Dy fjalë për spekulantët dhe keqbërësit politikë.

Një medium që financohet nga njëri keqbërës, vazhdimisht më merr nëpër gojë dhe është dezinformatori kryesor i opinionit, në kontekste negative, kundër meje.

Ky portal, nuk meriton reagim nga ana ime. Nuk e kam bërë reagimin as në fushatë, sepse duhet të bija tepër poshtë, në nivel të tyre kundër spekulimeve të tyre të pista.

Shembull është kur ditë më parë, nga një video “e lodhtë”, janë shkëputur pjesë, të cilat kanë menduar se po e komprometojnë procesin zgjedhor në degën e PDK-së në Drenas, por nuk ju eci. Nga kjo video, këta spekulantë, kanë krijuar tri a katër lajme, “të lodhëta”.

Tash, i njëjti portal, spekulues, në bashkëpunim me keqbërësit tjerë, përpiqet të nxitë një sfidë, e cila nuk do të ndodh. Nuk ka sfidë në proces zgjedhor për degën e PDK-së në Drenas, sepse fare nuk kam aplikuar për kryetar dege.

Pra, e ritheksoj, për qytetarët, nuk kam aplikuar për kryetar të degës.

Ndërsa për keqbërësit, kam një porosi, jeni lehtë të lexueshëm, mos spekuloni e mos paguani portale për spekulime, kot. Kot e keni, as procesin demokratik në degë, as kandidatin më të mirë, nuk do të mund ta pengoni që të udhëheq me partinë më të fuqishme në bastionin e saj.