20:03 / E Premte, 10 Prill 2020 / indeksADMonline

Lladrovci: Unik në kërkesa dhe veprime për qytetarët, me orë të njëjtë ndalimqarkullimi

Në mbledhjen e mbajtur në komunën e Drenasit, nga kryetarët e komunave të Kosovës, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur fjalë rasti, ku është theksuar qëllimi i diskutimit dhe mobilizimit unik si komuna për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Lladrovci, ka vlerësuar se duhet orar unik, në tërë vendin, për të pasur sukses pengimi i përhapjes së virusit covid-19.

“Pa dashur të komentoj ndalimin e qarkullimit, rrjedhimisht lëvizjes së qytetarëve sipas orareve të përcaktuara, sidomos tani pasi kemi të freskët edhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, mendoj se kjo masë për qarkullim duhet të jetë e njëjtë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Ja postimi i Lladrovcit në fb:

Menaxhimi i situatës me pandeminë COVID-19, na bëri bashkë, kryetarët e Komunave të Kosovës pa dallim partie, por, me të vetmin qëllim, mobilizimin unik të të gjithëve për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Drenasi u zgjodh mikpritës i këtij takimi të organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, prej të cilit dolëm unik në disa kërkesa dhe nevoja që kemi si komuna në përpjekjet tona për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

E vlerësoj shumë përkrahjen unanime të kryetarëve të komunave që vendimi për qarkullim të jetë unik për të gjithë dhe jo vetëm për komunat që janë në karantinë.