75 Mall Live Search
10:36 / E Shtunë, 03 Korrik 2021 / OSH

Lladrovci uron që PDK të jetë si në kohën e Thaçit e Veselit

Kryetar i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka përshëndetur Konventën e 10-të të Partisë Demokratike të Kosovës që po mbahet sot, ku do të zgjedhet kryetari i ri i kësaj partie.

Lladrovci tha se kësaj partie i duhet unitet.

“Uniteti ishte çelësi i suksesit tonë kundër okupatorit deri në çlirim, ishte çelësi i suksesit në shteformim e shtetndërtim. Andaj, uniteti i duhet PDK-së, sepse është për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kemi për të bërë rrugë të pandalshme, për Republikën e Kosovës, për kombin tonë. Në këtë rrugë, bashkimi ynë le të jetë emërues i përbashkët!”.

Ai përmendi edhe dy ish-liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, për të cilët tha se atyre u është mohuar jeta dhe puna në Kosovë.

“Sot, kur padrejtësisht u është mohuar jeta dhe puna në Kosovë, pranë familjeve të veta dhe familjen më të përkushtuar për shtetformim e shtetndërtim, z. Kadri Veselit dhe z. Hashim Thaçit, uroj që punimet, përfundimet dhe vizioni që do të dalë nga kjo Konventë, të jenë të njëjta sikur ata të ishin me ne”.