75 Mall Live Search
14:58 / E Premte, 22 Tetor 2021 / k.v

Lladrovci vendoset në krye të PDK-së në Drenas, a u bë në përputhje me statutin e partisë

Ramiz Lladrovci prej së enjtes ka marrë edhe një detyrë të re. Ai është caktuar nga kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, UD i kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas deri në mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm në nivel dege.  

Zyrtarë të PDK-së kanë thënë për IndeksOnline se vendimi i Kryesisë së PDK-së, lidhur me caktimin e Lladrovcit U.D. Kryetar i Degës së PDK-së në Drenas, është në përputhje të plotë me Statutin e Partisë.

Në nenin 31 të statutit të partisë thuhet: “Në rast të paraqitjes së rrethanave të jashtëzakonshme dhe të mosmarrëveshjeve të cilat pamundësojnë funksionimin e degës përkatëse, Kryesia e PDK-së me vendim, pas konsultimit me Kryetarin PDK-së, mund ta shpërbëjë degën dhe të caktojë një udhëheqje të re të përkohshme deri në mbajtjen e kuvendit te jashtëzakonshëm në nivel të degës”.

Ani pse statusi e përcakton situatën kur shkarkohet kryesia e vjetër dhe kur emërohet e reja, me një vendim të tillë nuk po pajtohet Driton Ajazi, kandidati i “Demokratëve për Drenasin”, për kryetar të komunës.

Ai thotë se ky vendim është i jashtëligjshëm, nuk ka bazë në statutin e Partisë si dhe cenon rëndë demokracinë e brendshme në PDK.

“Falënderoi nga zemra disa anëtar të Kryesisë së PDK-së të cilët e kanë kundërshtuar një vendim të tillë jo statutor, ata përmes kundërshtimit të tyre kanë respektuar statutin, rregulloret e brendshme si dhe demokracinë e brendshme në PDK”, ka thënë Ajazi.

Zyrtarë të PDK-së kanë thënë se pas konsultimeve me juristët e fushës, është vlerësuar se vendimi i kryesisë së PDK-së në qendër lidhur me këto emërime ka qenë i drejtë. Po ashtu ata thonë se e gjithë kjo vije si rezultat i gjendjes se Dega e PDK-së në Drenas ishe pa kryetar, si dhe një pjesë e kësaj kryesie kanë kaluar në një subjekt tjetër politik dhe se ky ka qenë një hap i nevojshëm dhe domosdoshëm.

Ndryshe dje kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Drenasi është bastion i pathyeshëm i Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarët e Drenasit nuk kanë pasur kurrë dilemë se ku është adresa e tyre politike.

Ai tha se Ramiz Lladrovci është dhe do jetë kryetar i Drenasit, sepse puna e tij është vlerësuar nga qytetarët dhe fitorja e tij s’do të mund të grabitet nga oportunistët.

“Nga sot, Ramiz Lladrovci është edhe U.D. i Kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas e do të udhëheqë Kryesinë e re të degës sonë atje. Ky vendim u votua sot në mbledhjen e Kryesisë së partisë, bazuar në Statutin e PDK-së. Ramizi e ka transformuar Drenasin dhe ka plan e pasion për zhvillimin e mëtejmë e kësaj komune. Për të, kjo garë nuk është manifestim i pushtetit, por përkushtim ndaj qeverisjes që zhvillon e hapë perspektivë. Prandaj, ai do të fitojë, sepse qytetarët e Drenasit janë të vendosur për zhvillim dhe ata e dinë se zhvillimi në Drenas është projekt i përhershëm i Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Krasniqi./IndeksOnline/